11:16 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova e gatshme të ndihmojë Greqinë për përfshirjen nga flakët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është prekur thellë nga humbjet e jetëve pas shpërthimit të zjarreve në rajonin e Athinës, në Greqi.

Ai ka thënë se Kosova do solidarizohet me fqinjët, duke shtuar se është e gatshme të ndihmojë.

“I prekur thellë nga humbjet e jetëve pas shpërthimit të zjarreve në rajonin e Athinës, në Greqi. Janë të tmerrshme dëshmitë për viktimat, por të japin zemër lajmet për heroizmat e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve. Kosova solidarizohet me fqinjët tanë dhe është e gatshme të ndihmojë. HTH”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa zjarret rreth Athinës po vazhdojnë për të dytën ditë, bilanci deri më tani rezulton tepër tragjik. Mediat greke flasin per 50 te vdekur dhe mbi 150 persona te plagosur. Trupat e fundit pa jetë u nxorën nga deti, deri dhe 4 milje nga brigjet e Rafinas, në orët e para të këtij mëngjesi.

Ndërkohë, dyshohet se bilanci përfundimtar do të përfshijë më shumë të vdekur, pasi pranë shërbimeve përkatëse janë bërë dhjetëra telefonata nga të afërm për të deklaruar persona të zhdukur. Gjithë viktimat janë gjetur në zonën ndërmjet Rafinas dhe Nea Makrit, posaçërisht në Mati dhe Kokkino Limanaki. Ata ishin bllokuar për shkak të flakëve në banesa apo makina, apo u përpoqën të largohen nëpërmjet detit, ku u mbytën./Indeksonline/