23:02 / E Enjte, 20 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi përmend Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leshakun indirekt kur pyetet rreth sakrificës për Preshevën

Presidentii vendit, Hashim Thaçi në “Real Story” është pyetur nga analisti Skënder Minxhozi, i cili përmend edhe kundërshtimet gjermane, se nëse do kërkohej që për Preshevën dhe komunat e tjera shqiptare të sakrifikohen komuna në veri të Kosovës me shumicë serbe apo asestet e Kosovës, cila do të ishte përgjigjja për këtë kërkesë të palës serbe, sepse, sipas tij, që të ketë një marrëveshje duhet të ketë një ujdi mes palësh?

“Nëse do të ndodhë korrigjimi apo jo, unë shoh gjasa shumë të pakta, sepse Serbia nuk do të pajtohet. Uroj që ajo të reflektoj përmbajtjen e çdo faktori ndërkombëtar. I kuptoj dhe i respektoj edhe skepticizmat, por në momentin që arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për korrigjimin e kufijve, jam i bindur se të gjithë në mënyrë unike do ta mbështesin marrëveshjen, edhe SHBA-ja, edhe BE-ja, duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ata që po flasin kundër korrigjimit, në një formë apo tjetër dërgojnë mesazhe për ndarje dhe shkëmbime. Kudo që të jenë ata, e kanë gabim dhe unë do të jem përballë tyre. Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Asnjë aset i Kosovës, as Ujmani, as veriu i Kosovës dhe as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë. Është e vërtetë edhe tjetra, që Tito dhe Rankoviq, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959, për të bërë një balancë demografike, ia kanë bashkëngjitur Kosovës një pjesë të Leposaviqit, Leshakut dhe Zubin Potokut.

Tani a duhet të mbetemi ne viktimë e Titos? Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen Kosovës. Unë e mbështes plotësisht të drejtën e tyre. Më vjen mirë që edhe botërisht faktori ndërkombëtar po reflekton gjithnjë e më tepër. Skena politike në Kosovë është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar edhe korrigjimin.

Ata që flasin për luftë dhe tragjedi, të jesh i bindur që më së pakti janë të interesuar për probleme, konflikte. Për luftë kanë folur edhe në kohën e demarkacionit me Malin e Zi. Sot, 90% e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin.

80% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën.

Ndërsa, mbi 90% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individë, që do të mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se pretendimi për të krahasuar Kosovën me Bosnjë-Hercegovinën është tërësisht i paqëndrueshëm. Problemi i Bosnjës, sipas presidentit Thaçi, është krijuar përpara Kosovës dhe ka vazhduar e do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së problemit të Kosovës.

“Po hapet Kutia e Pandorës? Mendoj dhe besoj fuqishëm se përmes një korrigjimi të kufirit Kosovë-Serbi, do kemi një precedent pozitiv. Marrëveshja do të jetë e vullnetit të mirë, vullnetit të lirë dhe marrëveshjes paqësore”, ka thënë ai.

Thaçi ka kërkuar që të ketë mirëkuptimin e tyre për gjëra që mund të kërkohen, por që nuk mund të deklarohet për arsye të respektimit të një parimi të kryenegaciatorëve, por edhe të angazhimeve në këtë proces, sepse nuk dëshiron të lëndoj apo cënoj procesin.

“Ajo që është e vërtetë është se i tërë procesi do të jetë transparent për qytetarët. E ritheksoj, nuk besoj se ndonjë negociatë ka shkuar pa qenë e hapur për mediat apo për të cilën nuk është folur edhe përmes konferencave për media. Do të thotë procesi negociues, ndërsa rezultati përfundimtar po, sepse atë ende nuk e kemi. Ky është një debat shumë i shëndetshëm që e kam hapur vetë, jo në mënyrë aksidentale, por me qëllimin e qartë që njerëzit të debatojnë, të japin idetë e tyre, sugjerimet e tyre, sepse çdo vërejtje, sugjerim dhe mbështetje më bën një negociator dhe president më të mirë. Ne e dëgjuam edhe këshilltarin për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ata që dinë vetëm pak nga politika, ata që kanë pasur përgjegjësi institucionale kudo në botë, e dinë se kur del këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, flet vetë shteti. Besoj se janë opinione sinqerisht injorante, me shumë padituri dhe shumë tendenciozitet, të akuzohet Shtëpia e Bardhë se po i bën argat Rusisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër Rusisë dhe Kosova dëshiron të ketë raporte siç kanë dhe shtetet e tjera me të, mirëpo qëllimi jonë është Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shqiptarët e Kosovës janë më pro NATO, më pro SHBA dhe më pro BE.

“Rusia ka qenë pjesë e negociatave të Rambujesë, ka qenë në Vjenë, ka pasur prani edhe në kuadër të KFOR-it. Nuk po them se tani duhet të marrë pjesë në proces, i cili i duhet Bashkimit Evropian dhe ka mbështetjen e plotë të zonjës Mogherini. Por, gjërat janë më serioze. Natyrisht shumë të ndërlikuara, por me një marrëveshje mund të thjeshtohen fare lehtë. Ndodhë njohja e ndërsjellë dhe i tërë ky proces mbyllet njëherë e përgjithmonë në historinë tonë. Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi nënkupton përfundimin e konfliktit të ngrirë, tragjedive, konflikteve, urrejtjes. Ndërsa, vazhdimi i një gjëndjeje të tillë nënkupton konflikte, probleme, stagnim për Kosovën, mosintergrim në NATO, BE ose KE, OSBE, e KB. Nëse dikush e gjen formulën sesi ne të levizim drejt NATO-s, të lëvizim të lirë drejt BE-së, pa marrëveshje me Serbinë, sesi ne të lëvizim të lirë në KE dhe në OSBE, atëherë unë sinqerisht do i duartrokisja dhe do të isha njeriu më suportiv. Vetëm ta gjejmë atë gjeni brenda kombit shqiptar, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë”, ka ironizuar Thaçi.

Sipas tij, Kosova deri këtu ka ardhur me kompromise, që do të thotë se e kemi fituar lirinë me kompromise dhe tashmë nëse më pyet nëse Serbia do të pajtohet, sigurisht se do të ketë kompromis, por cili do të jetë ai është ende herët që të flitet.