13:21 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Thaçi premton mbështetje për qytetarët e Luginës, pret që edhe Serbia të veproj njëjtë

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, me të cilët ka biseduar për gjendjen e shqiptarëve që jetojnë atje.

Pas takimit, Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka thënë se u informua për zhvillimet në Luginë dhe problemet e qytetarëve të atjeshëm, raporton Indeksonline.

Thaçi ka premtuar ndihmë dhe mbështetje nga të gjitha institucionet e Kosovës për shqiptarët që jetojnë atje.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Thaçit:

Ne mbaruam një takim pune njëherë veçmas me secilin, e pastaj bashkë, ishte takim përmbajtjesor, e që është vazhdimësi e takimeve të mëhershme.

Ky takim ka qëllim të informimit për sfidat dhe problemet me të cilat përballen qytetarët që jetojnë në këto lugina.

Unë ju siguroj se kemi obligim që jo vetëm të përcjellim me vëmendje cilat janë problemet që i shqetësojnë qytetarët atje, por edhe të ndërmarrim veprime konkrete për t’i zgjidhur ato, gjithmonë në përputhje me standardet evropiane.

Serbia si çdo tjetër, e aq më tepër që një shtet BE e ka afruar për anëtarësim, e ka për obligim të respektoj të drejtat e qytetarëve atje.

Serbia fatkeqësisht është larg përmbushje së standardeve të qytetarëve të luginës së Preshevës. E këtë gjendje të vështirë, ma konfirmuan sot në takim përfaqësuesit shqiptar të luginës.

Sot ju premtoj të gjithë qytetarëve të luginës se institucionet do të përdorin çdo mjet legjitim dhe demokratik për të mbrojtur të drejtat elementare e kombëtare të tyre.

Dua të besoj se autoritetet në Beograd do të mirëpresin interesimin tonë dhe do të respektojmë atë që ne i respektojmë në Kosovë të drejtat e serbëve.

Pres një koordinim më të madh, përfshirë edhe BE-në që të adresoj kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të luginës. BE nuk mund të aplikoj standarde të dyfishta kur është në pyetje çështja e komuniteteve. /Indeksonline/