16:32 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thaçi propozon referendum për bashkimin e Luginës me Kosovën

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se një referendum është i domosdoshëm për të vendosur nëse Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Në një postim në Facebook Thaçi ka shkruar se për këtë është duke punuar që të bëhet realitet.

Postimi i Thaçit:

Një mesazh për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve.

Në një situatë të tillë, vertet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet.