23:44 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Thaçi: S’ka dhe s’do të ketë përleshje me serbët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen serbe “Veçernji list”, ka folur për themelimin e Asociacionit të komunave serbe si dhe për mundësinë e përleshjeve mes shqiptarëve e serbëve.

Thaçi është shprehur i bindur se Kosova do ta formojë ushtrinë.

Sipas tij, nuk është e vërtetë që Kosova po refuzon të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se u qëndron prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare, siç është edhe AKS-ja, por ka shtuar se nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të jetë bazë për krijimin e një entiteti politik serb në Kosovë.

Presidenti thotë se me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk pritet të ketë përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime, duhet të respektojnë rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përleshje në Kosovë mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk ka pasur konflikte të tilla as në vitet më të rënda të luftërave. Ne kemi luftuar me fuqinë pushtuese të Serbisë, e jo me serbët”, u shpreh ai.

Thaçi beson se do të merret vesh me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare e çështjes së Kosovës.

 

Temat: