11:38 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Takimi me liderët e Luginës ma ndryshoi qëndrimin për kufijtë (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka folur përsëri për çështjen e kufijve të vendit, emërimin e anëtarëve të Kushtetueses dhe asociacionin.

Ai ka thënë se tani janë përmbushur të gjitha kushtet për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, e që mund të ndodh edhe gjatë kësaj jave, raporton Indeksonline.

Po ashtu, Thaçi ka folur edhe për Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se kjo marrëveshje ka mbështetjen e tij.

“ky asociacion do të themelohet sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Vuçiq-Mustafa, ndërsa do të kalon në procedurë të respektimit të plotë të Kushtetueses, të gjitha parametrave, obligimeve që kemi marr edhe në Bruksel dhe do të jetë me përgjegjësi të specifikuara nga Kushtetuesja e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Ndërsa, sa i përket kufijve, presidenti ka thënë se ka synim të korrigjoj kufijtë, e jo t’i ndryshoj.

“korrigjimi i kufijve nënkupton bashkangjitjen në tërësi të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, që duhet të jetë proces i rregullt dhe transparent. Nëse ndodh pajtueshmëria nga Kosova e Serbia, atëherë askush nuk do të dal kundër për dialogut. Koha e luftës ka përfunduar, nuk do të ketë ndarje, shkëmbim apo autonomi. Do të ketë vetëm korrigjim nëse ka pajtueshmëri nga dy anët”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, kërkesa e liderëve të Luginës është institucionalizuar, por do të prezantohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Këtë momentum nuk duhet humbur, nëse nuk shfrytëzohet mirë, edhe kështu qytetarët e Luginës po vijnë në Kosovë, janë larguar rreth 12 mijë njerëz nga atje, shqiptarët e atjehit duhet t’i gëzojnë të drejtat e plota sikurse shqiptarët tjerë. Kjo nuk sjell frikë, por mundësi të reja. Pastaj, do të jetë shumë vonë nëse humb kjo mundësi. 91% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin idenë e bashkangjitjen e vendit me Luginën, prandaj politika duhet vetëm ta respektoj vullnetin e qytetarëve”, ka theksuar Thaçi.

I pyetur pse ka ndryshuar qëndrim sa i përket kufijve të Kosovës, Thaçi ka thënë se takimi me liderët e Luginës ia ka ndryshuar mendjen.

“Pas takimit me krerët e luginës kam ndryshuar, e kërkesa e tyre më obligon të institucionalizoj atë, duke përjashtuar çdo mundësi të ndarjes, shkëmbimit apo ndonjë autonomie”, është përgjigjur Thaçi. /Indeksonline/