11:20 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi uron që Kuvendi i Maqedonisë të marrë vendim pro evropian

Presidenti Hashim Thaçi ka komentuar referendumin e mbajtur gjatë ditës së djeshme në Maqedoni, për miratimin e marrëveshjes së emrit me shtetin grek.

Thaçi ka thënë se uron që Kuvendi i Maqedonisë të marrë vendim pro evropian.“Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike. Votuesit e djeshëm, përfshirë edhe tërë bashkëkombësit tanë shqiptarë atje, dëshmuan qytetari dhe vullnet të qartë pro vlerave perëndimore”, ka shkruar Thaçi.

“Shpresoj dhe uroj që edhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të marrë vendimin e duhur proevropian. Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership dhe vendime të rëndësishme, që e forcojnë fqinjësinë e mirë dhe që rajonin tonë e integrojnë sa më shpejtë në Bashkimin Evropian”, ka vazhduar tutje ai. Pjesëmarrja në referendum ishte  36.79 për qind e votuesve, pa arritur dot kështu pragun e nevojshëm të 50% që nisma të konsiderohej një sukses. Shumica dërmuese 91.37 për qind ishte në favor te ndryshimit të emrit.