20:43 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Tryeza e PDK-së, deklarohen partitë e koalicionit

Pas LDK-së, është PDK-ja partia pasuese që do i mbledhë të gjitha subjektet në një tryezë. Por, ndonëse nuk dihet se kur do të zhvillohet ky takim, është AAK-ja dhe Nisma ato që kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në këtë tryezë.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj është shprehur se Kosova ka nevojë për një konsensus lidhur me disa çështje të vendit.

Në një prononcim për Indeksonline, Nitaj ka thënë se shpreson që të gjitha partitë, pa përjashtim të ngritën mbi interesat partiake dhe të kalojnë në nivelin e përgjegjësive që duhet t`i kenë.

“Me gjasë është vendosur edhe një formë bashkëpunimi ndërmjet forcave politike. E vlerësoj të përgjegjshme dhe pozitive këtë nismë. Ajo që i ka munguar këtij vendi, ka qenë mosgatishmëria për t`u ulur dhe për të biseduar. Pati një tryeze të thirrur nga LDK. Tash, sipas marrëveshjes, radha i bie PDK-së. Shumë mirë. Ne e kemi dhënë dakordimin tonë për të vazhduar. Vendi ka nevojë për një konsensus për disa çështje”, ka thënë Nitaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, po ashtu ka thënë se partia e tij do marrë pjesë në të gjitha tryezat pa marrë parasysh se nga kush thirren ato.

Sipas tij, komunikimi i partive si instrument për të arritur konsensus për çështje të vendit është i pazëvendësueshëm.

“Nisma do të marrë pjesë në të gjitha tryezat pa marrë parasysh nga kush ftohen. Ne besojmë se komunikimi mes partive si instrument për të arritur konsensus për tema të ndryshme është i pazëvendësueshëm. Fundja, më mirë një takim i pa suksesshëm sesa të mos takohemi fare”, ka thënë Sherifi për Indeksonline.

Kujtojmë se takimi mes partive politike u mbajt më 25 prill, ku të gjitha subjektet ishin prezentë. Aty u dakorduan se tryezat duhet të vazhdojnë me synim gjetjen e konsensusit për çështjen e rëndësishme që e presin Kosovën./Indeksonline/