20:19 / E Enjte, 09 Shtator 2021 / OSH

U shpall non-grata/ Lulzim Basha e largon Sali Berishën nga grupi parlamentar deri në zbardhjen e çështjes

Kryetari i PD-së Lulzim Basha bëri me dije se Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar PD-së deri në zbardhjen e plotë në rrugë gjyqësore të çështjes së tij, pas shpalljes non grata nga DASH. 

“Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës“, tha Basha.

Në fjalën e mbajtur Basha vuri në dukje arritjet e Shqipërisë nën drejtimin e Berishës, duke theksuar se vendimi i sotëm nuk i cënon aspak kontributet e tij.

Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik. Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo. Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike“, tha Basha.