12:54 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vajza e Enver Malokut: Si një fëmijë dëshmori kam këtë kërkesë për kryeministrin

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku ka reaguar ndaj deklaratës së Nasim Haradinajt, nënkryetar i OVL-UÇK-së, lidhur me vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

Ai mbrëmë ka thënë se nuk është punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së.

Maloku me këtë rast i ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinajt dhe të gjitha organizatave të dala nga lufta që të distancohen nga deklaratat e Nasim Haradinajt.

“Si fëmijë i një dëshmori të UÇK-së, Heroi të Kosovës, e zyrtari të lartë i LDK-së, i vrarë në atentat më 11 janar 1999, kërkoj urgjentisht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që ta shkarkojë këtë fundërrinë nga kjo pozitë sepse ky nuk përfaqëson interesat e veteranëve as të neve familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe jo se jo vlerat e luftës!”, ka shkruar ajo, përcjellë Indeksonline.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë:

Kam dëgjuar disa herë që kur bëheshin plane për vrasjen e kundërshtarëve politikë në Kosovë, pra për vrasje të intelektualëve të shquar të LDK-së, grupe të caktuara njerëzish të sojit të Nasim Haradinajt indoktrinonin të rinjtë duke u thënë që zyrtarët e LDK-së janë udbashë dhe ata duhet të eliminoheshin.

Ky monstra, mbrëmë e paska konfirmuar edhe publikisht këtë gjë: Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK-së, paska thënë ai!

Njëmend?

Mos e vet se t’kallxon vet, ka thënë populli!

Si deputete e LDK-së në Parlamentit të Kosovës, i kërkoj Kryeministrit Haradinaj dhe të gjitha organizatave të dala nga lufta që urgjentisht të distancohen nga deklaratat e Nasim Haradinajt.

Si fëmijë i një dëshmori të UÇK-së, Heroi të Kosovës, e zyrtari të lartë i LDK-së, i vrarë në atentat më 11 janar 1999, kërkoj urgjentisht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që ta shkarkojë këtë fundërrinë nga kjo pozitë sepse ky nuk përfaqëson interesat e veteranëve as të neve familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe jo se jo vlerat e luftës!