16:33 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Varrezat e reja do të vendosen në Fshatin e Vjetër të Ferizajt

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Fillimisht para të pranishmëve kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyçi, i ka paraqitur të gjitha pikat e rendit të ditës të cilat ishin përgatitur për këtë mbledhje.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës është debatuar gjatë lidhur me zhvendosjen e vend varrezave nga hapësira rreth parkut “Liria”, vendim ky i marrë në vitin 2014 në një hapësirë të re në Fshatin e Vjetër.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në fjalën e mbajtur para kuvendarëve ferizajas për këtë çështje tha se është urgjente gjetja e një vendi të ri për varreza ngase vendi i përcaktuar në vitin 2014 tek Parku “Liria” paraqet pengesë në aspektin e sigurisë, për aktivitetin dhe stërvitjen e FSK-së dhe pas të gjitha diskutimeve e analizave të bëra , është arritur pajtueshmëri që hapësira në Fshatin e Vjetër i plotëson kushtet për këtë qëllim.

Në prezantimin e kësaj pike, drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, tha se kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë, derisa nuk ka asnjë alternativë tjetër pa pagesë duke theksuar se ndonjë zgjidhje me prona private do të ishte e shtrenjtë , kurse pronat tjera komunale janë të papërshtatshme për këtë qëllim.

Pas diskutimeve të gjata dhe polemikave edhe për ndërrimin e parcelës për ndërtimin e Spitalit të ri Rajonal u votua me 19 vota për e 17 kundër që parcela prej 5 hektarësh në Fshatin e Vjetër të destinohet për varrezat e qytetit.