19:36 / E Diele, 13 Maj 2018 / indeksADMonline

Vazhdojnë punimet e rrugës te “Kafet e Vogla”, ja kur pritet të përfundojnë (Foto)

Janë bërë më shumë se 40 ditë që kur kanë filluar punimet në rrugën “Fehmi Agani” dhe “Hajdar Dushi”.

Këto rrugë janë bllokuar për punime infrastrukturore në këtë pjesë të qytetit, dhe që nga ajo ditë  janë duke u zhvilluar punimet pothuajse çdo ditë.

Por, rregullimi i kanalizimit fekale dhe atmosferik në këto dy rrugë ka hasur edhe në pengesa gjatë instalimit nëntokësor.

Kështu të paktën thonë komuna e Prishtinës.

Në një prononcim për Indeksonline, Zyra për Komunikim me Publiku në këtë komunë kanë thënë se përkundër pengesave të shumta, punimet janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.

“Punimet në rrugët Fehmi Agani dhe Hajdar Dushi janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë, përkundër pengesave të shumta që kemi hasur me instalimet nëntokësore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë, ata thonë se punimet do të përfundojnë brenda afatit të caktuar në kontratë.

“Punimet priten të përfundojnë brenda afatit të caktuar në kontratë”, kanë shtuar më tutje ata.

Ndryshe, duhet cekur se për përfundimin e këtyre punimeve kanë mbetur më pak se 2 javë, pasi, sipas planit ato janë paraparë të përfundojnë brenda 60 ditësh./Indeksonline/