09:59 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Veseli: FSK-ja është nderi e krenaria jonë, ftoj KFOR-in e NATO-n të na ndihmojnë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në fjalimin e tij në konferencën e 9-të “ ‘FSK dhe Partnerët’ të organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka theksuar se FSK-ja gjithmonë do të jetë krah i fuqishëm i NATO-s dhe KFOR-it.

Ai ka përsëritur se në kuvend tashmë janë proceduar tri ligjet e nevojshme për FSK-në, raporton Indeksonline.

“Kjo flet për nivelin e lartë të përgaditjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve më bashëkohore të ushtrive më moderne të kohës sonë. Kjo flet se FSK-ja ka përmbushur të gjitha standardet e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër të saj: formalizimin në Ushtri të Kosovës. Ne para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës miratuam tre ligjet e nevojshme për avancimin e këtij procesi dhe jemi të vendosur që të ecim përpara së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë. Do të jemi me ju. FSK-ja do të jetë krah i fuqishëm i juaj. Ju ftoj dhe sot që të na ndihmoni’, ka thënë Veseli.

Ai ka vlerësuar se FSK-ja është nderi dhe krenaria e Kosovës dhe se janë njerëzit më të sjellshëm.

“E ardhmja e Ballkanit në BE nuk do të mund të shmanget nga askush. Është interesi dhe dëshira më e madhe e popujve dhe qytetarëve tanë. Është vizioni i forcave demokratike që nuk do të lejojnë të ndryshohe kursi properëndimor i rajonit tonë. Prandaj e them me bindje të plotë se Paqja demokratike në rajonin tonë nuk ka alternativë. Pikërisht ky koncept i paqës demokratike qëndron në themel të FSK-së dhe në themel të partneritetit të saj me ndërkombëtarët”, përfundoi Veseli. /Indeksonline/