13:23 / E Hënë, 01 Janar 2018 / indeksADMonline

Viti 2017 për Qendrën Kinematografike të Kosovës, vit i sfidave por edhe sukseseve

Qendra Kinematografike e Kosovës edhe këtë vit ka qenë shumë e suksesshme, kështu ka thënë për Indeksonline drejtuesi i kësaj qendre, Arben Zharku. Sipas tij ndër sukseset më të mëdha të këtij viti ka qenë edhe pranimi i QKK-së në “SEE Cinema Netëork” i cili është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon fuqizimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare. Kurse sfidë mbetet hyrja në fuqi e rregullores për lehtësira financiare në bazë të së cilës do të tërhiqen investimet e huaja në fushën e industrisë së filmit në Kosovë.

 1.Si çdo institucion edhe Qendra Kinematografike e Kosovës përballet me sfida, por cilat ishin ato që e karakterizuan vitin 2017?

Viti 2017 ishte vit shumë i suksesshëm për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Natyrisht që sukseset nuk vijnë pa sfida e kësisoji QKK ka pasur shumë sfida të cilat kanë rezultuar me suksese, siç ka qenë pranimi i Kosovës në SEE Cinema Netëork dhe lidhja e marrëveshjeve tjera gjatë këtij viti.

Një sfidë e vazhdueshme e këtyre dy viteve është  pritja të hyj në fuqi Rregullorja për lehtësirat financiare në bazë të së cilës do të tërheqim investime të huaja në Kosovë në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe iu hap rrugën investitorëve të huaj për të xhiruar në Kosovë.

2.Në sa filma ka investuar Qendra Kinematografike e Kosovës gjatë këtij viti dhe sa prej këtyre filmave janë përfunduar dhe tashmë shfaqen në publik?

Këtë vit QKK ka mbështetur 18 projekte filmike të kategorive të ndryshme dhe meqenëse filmi kërkon kohë për t’u realizuar këto projekte të vitit 2017 janë në faza të ndryshme zhvillimi dhe disa prej tyre pritet të kenë shfaqjen publike vitin që vjen. Katër filma të mbështetur nga QKK sivjet patën premierën në festivale të kategorisë ‘A’ si: ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela, ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri dhe filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi.

3.Cilat mund të konsiderohen sukseset e Qendrës Kinematografike të Kosovës gjatë vitit 2017?

Qendra Kinematografike e Kosovës gjatë vitit 2017 ka arritur suksese të ndryshme duke filluar me zgjerimin e pranisë dhe prezentimit të QKK-së në tregjet më të mëdha të filmit. Ka qenë e pranishme në Berlinale në Gjermani, Cannes dhe Annecy në Francë, Beldocs Market në Serbi, Balkan Film Market në Shqipëri dhe TIFFCOM në Japoni.

Gjithashtu sukses të mëdha kanë pasur filmat e mbështetur të QKK-së të cilët me shfaqjet e tyre kanë fituar çmime të ndryshme duke theksuar suksesin e fundit të filmit ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri, film ky që fitoi dy çmime në Tallinn të Estonisë.

QKK konsideron se një ndër sukseset e mëdha është edhe pranimi në SEE Cinema Netëork, i cili është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër..

Poashtu edhe marrëveshjet që QKK ka lidhur këtë vit kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e industrisë së filmit. Vlen të përmendet marrëveshja që arritëm rishtazi me GjirafaVideo,

4.A ka investuar QKK edhe në filma të huaj gjatë këtij vitit dhe sa mendoni se kanë pasur efekt këto investime?

Qendra Kinematografike e Kosovës me konkursin vjetor që organizon, investon edhe në projekte filmike të huaja duke e krijuar dhe rritur bashkëpunimin mes shteteve dhe forcimin e kontakteve mes producentëve kosovar dhe atyre të rajonit. Këtë vit janë mbështetur 3 projekte filmike në kategorinë e metrazhit të gjatë artistik – Koproduksion Minor: ‘Nji prej nesh’ me skenar dhe regji nga Ergys Meta, ‘Bolero në vilën e pleqve’ me regji nga Spartak Pecani, ‘Happiness’ me skenar dhe regji nga Borjan Zafirovski. Sigurisht këto investime janë në ekipa kosovare gjë që e rrit profesionalizmin e ekipeve tona dhe janë në të mirë të bashkëpunimit rajonal për faktin se edhe fondet rajonale i mbështesin projektet kosovare. Kjo gjë rrit kualitetin e prodhimeve filmike.

5.Kemi parë listën e publikuar nga konkursi për projektet fituese të vitit 2017, a mendoni se janë bërë zgjedhjet e duhura dhe a janë të mjaftueshme shumat e ndara për ta?

Vendimet për konkursin e QKK-së i merr juria e jashtme e cila në bazë të kritereve që ka, vlerëson projektet filmike më potenciale, kurse Këshilli Drejtues është autoriteti i cili vendos për shumat në bazë të buxhetit që QKK zotëron. Ne shpresojmë që në 2018 do të kemi rritje të buxhetit vitin në mënyrë që edhe projektet filmike të mbështeten me shuma më të mëdha dhe më të përafërta me ato të rajonit. Në anën tjetër QKK vazhdimisht mbështet projektet filmike në gjetjen e koproducentëve, agjentëve të shitjes dhe distributorëve

6.Filmi ‘T’ padashtun’ është shfaqur në LA Screening gjatë Nëntorit dhe është propozimi i Kosovës për Oscar. A mendoni që edhe ky projekt mund të arrijë suksesin e filmit ‘Shok’ e pse jo edhe më tepër?

QKK është jashtëzakonisht krenare me sukseset e filmit ‘Shok’ e gjithashtu edhe me gjithë sukseset e filmave që ka mbështetur.

Propozimi aktual për Oscars ‘T’padashtun’ tashmë ka pasur sukses të madh me shfaqjen e filmit në festivalet më prestigjioze anë e mbanë botës dhe ne shpresojmë në sukses të mëtutjeshme të tij. Gjithashtu konkurrenca në këtë kategori është shumë e madhe pasi që konkurrojnë të gjitha shtetet me industrinë më të madhe dhe me regjisorët më të spikatur të kinematografisë botërore./Indeksonline/

Temat: