15:26 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Wilder nokauton “Joshuan”: Do t’ia shtyp kokën (Video)

Dy javë pasi ka mundur Luis Ortiz dhe mbrojti titullin kampion bote në peshat e rënda në kategorinë WBC, boksieri amerikan Deontay Wilder shprehet se ka nisur nga puna për t’u përballur me britanikun Anthony Joshua.

“Do t’ia shtyp kokën”, tha Wilder, duke goditur një manekin ku ndodhej fytyra e Joshua, që mban titujt kampionë bote të kategorive IBF dhe WBA. Boksieri amerikan është i bindur se këtë vit do të përballet me Joshua, ndërkohë që britaniku do të duelojë më 31 mars ndaj Joseph Parker, që mban titullin e kategorisë WBO.

Kjo përballje gjigandësh mes Wilder dhe Joshua ka kohë që përflitet, por palët nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët, sidomos në termat financiarë, por ai që po këmbëngul më së shumti është amerikani. Të dy boksierët janë të pamposhtur, ndaj një përballje e tillë pritet me interes.

“Unë asnjëherë nuk e kam lënë stërvitjen dhe tani po përgatitem për t’u përballur me Joshua. Nuk ka më kohë, kjo sfidë duhet zhvilluar sa më shpejt, por ai nuk pranon”, u shpreh më tej Deontay Wilder.