11:07 / E Diele, 31 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ylli i Ballkanit: Synimi ynë është Superliga, në Kupë mund ta eliminojmë Gjilanin (Foto)

Leotrim Gashi, sulmuesi i Ballkanit është njëri nga më meritorët që klubi nga Suhareka përfundoi stinorin vjeshtor në pozitën e tretë në Ligën e Parë me 34 pikë të grumbullura pas 17 ndeshjeve.

Ballkani befasoi të gjithë me formën që tregoi në pjesën e parë të sezonit, ndërsa synim kanë që në Pranverë të tregojnë lojëra edhe më të mira në mënyrë që të rikthehen në Superligë pas një kohe të gjatë.

“Ndoshta për dikë mund të jetë befasi, por unë nuk mendoj kështu, pasi i kam pritur këto rezultate, kemi pasur organzim shumë të mirë në klub,” ka thënë Gashi për IndeksOnline.

24-vjeçari ishte mjaft produktivë për skuadrën e Ballkanit, pasi në 15 ndeshje që ka zhvilluar ka gjetur rrjetën në 14 raste dhe i prinë listës së golashënuesëve në Ligën e Parë. Gjithashtu ka dhënë edhe tetë asistime për bashkëlojtarët e tij.

“Shpresoj që të vazhdoj me këtë formë, por objektivi kryesor i klubit është që të inkuadrohemi në Superligë, nuk ka rëndësi se kush i shënon golat.

Pas formës së mirë të treguar për Gashin kanë shprehur interesim edhe klubet nga Superliga.

“Kam oferta nga klube të Superligës, për momentin jam i lumtur te Ballkani, por do të ulemi dhe të bisedojmë me kryesinë dhe pastaj do të shohim se çka do të ndodhë”.

Ballkani në Kupën e Kosovës do të ballafaqohet me Gjilanin, derisa sulmuesi suharekas është mjaft optimist për këtë takim.

“Gjilani ka një skuadër cilësore, me futbollistë shumë t mirë, por ne besojmë se mund t’i eliminojmë ata me disa përforcime që klubi pritet t’i bëjë në afatin kalimtar të janarit,” përfundoi Gashi./IndeksOnline/