12:01 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Zogiani: LDK-ja interesante, Hoti kërkon zgjedhje e Veliu thotë se s’ka nevojë për to

Lëvizja Vetëvendosje organizoi javën e kaluar tryezën e radhës të partive politike, në të  cilën morën pjesë të gjitha partitë, përveç Listës Serbe.

Për tryezën foli sot Avni Zogiani nga VV-ja, i cili tha se të premten partitë treguan qartë pozicionimin pro dhe kundër shkuarjes në zgjedhje.

Në një intervistë për Radio FM, tha se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme asnjëherë nuk ka qenë më urgjente, përcjell Indeksonline.

Sipas tij, interesante është situata në LDK, pasi Avdullah Hoti kërkon zgjedhje, kurse Agim Veliu po thotë se nuk duhet të shkohet në zgjedhje.

Po ashtu, Zogiani foli edhe për partinë e re të të larguarve nga VV-ja, të cilët formuan Partinë SocialDemokrate (PSD), për të cilën tha se nuk është në gjendje të shkoj në zgjedhje pasi akoma nuk ka strukturën e saj.

Më poshtë një pjesë e intervistës së Zogianit:

Vetëvendosje mendon që kurrë më urgjente nuk kanë qenë zgjedhjet në Kosovë, jo pse ne jemi në një situatë të mirë elektorale, por pse është ajo që LDK dhe përfaqësuesi i partisë së re po thonë, që primare duhet të jetë agjenda shtetërore.

Ne e dimë që kjo agjendë është e Hashim Thaçit, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi ai në një formë e ka kidnapuar dialogun dhe krye në veti pa u konsultuar po vazhdon vet.

Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt në mënyrë që të arrihen dy objektiva, së pari të shkarkohet presidenti Hashim Thaçi  i cili ka prodhuar dokumente antikushtetuese, e që është vërtetuar me një vendim të kushtetueses, dhe e dyta nëse kjo pamundësohet, së paku të kufizohet fuqia e tij.

Nëse vazhdohet si po thonë partitë politike, që e favorizuan  vazhdimin e negociatave nga Thaçi, ne rrezikojmë që Kosova mos të përfaqësohet, pasi deri sot vetëm formalisht ishte pjese e negociatave.

Vetëvendosje mendon se është urgjente përmes zgjedhjeve të delegjitimohet ky proces.

Qëllimi i tryezës ishte të mblidhemi të bëjmë dert situatën, por duket se nuk po  e kuptojnë partitë apo nuk po duan ta kuptojnë gjendjen në të cilën është vendi.

Kësaj radhe në tryezë erdhi ujku i vjetër i LDK-së, Agim Veliu dhe tha se agjenda duhet të jetë ajo shtetërorja, që i bie ajo e Thaçit.

PSD duket se nuk e ka të lidhur agjendën me Thaçin, por e ka situatën e vet, njëherë i deklaroi parimet pastaj i dërgoi ato te një parti që ekziston tash e 30 vite, por ky është problem i tyre.

PSD nuk është e strukturuar, nuk është e ngritur akoma dhe arsyeja është e kuptueshme, por LDK ka një shantazh apo po shantazhohet nga dikush, e në këtë rast po flasim për Thaçin, i cili si duket po vazhdon ta përdor LDK kur po i duhet.

PSD nuk mundet me hy në zgjedhje, është problematike për ta të hyjnë në zgjedhje pasi ekziston edhe hidhërimi i votuesve ndaj tyre, pasi nga një top parti kaluan në parti tjetër.

Nuk ka shanse Brukseli të imponoj përfaqësues në dialog, vetëm e merr atë që e zgjedhin institucionet e Kosovës.

Ka akterë të rëndësishme në LDK që e din situatën, kurse gjenerata e re e LDK-së nuk ka të tilla kusure.

Ne nuk mund të themi që negociatat po bëhen për serbët e Kosovës. Ne kemi një listë e cila në vazhdimësi konsultohet me qeverinë e Serbisë  e jo me serbët e Kosovës, ata shkojnë drejt në Beograd kur janë në pyetje procese të mëdha.

Bashkësia ndërkombëtare punon me brumin që e ke, e këto 20 vite në negociata shkoi Lutfi Haziri gjysmë i dehur, mandej Nexhat Daci etj.

Fakti që plot procese e paralajmërime të VV-së është dëshmuar që kanë qenë të drejta, duhet edhe LDK e partitë tjera të mendojnë ka po shkojmë e çka po bëjmë.

Është zor të parashikohet a do të ketë zgjedhje, sepse çelësi i zgjedhjeve për momentin është LDK-ja. Për shembull, nëse flet Hoti ka zgjedhje, e nëse flet Agim Veliu nuk do të ketë zgjedhje. Ky është një problem që duhet hulumtuar. /Indeksonline/

Temat: