Zyrtari i LDK-së vazhdon ta quaj Vetëvendosjen anarkiste, ndërsa shefi i tij takohet me ta
Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj vazhdon ta quaj Lëvizjen Vetëvendosje si anarkiste, ndërsa shefi i tij e pret në shtëpi liderin e “anarkistëve”, Albin Kurtin.
Gecaj i njohur për deklaratat ofenduese për Vetëvendosjen, thotë se ndjehet i befasuar që kjo parti tani po e njofton Policinë e Kosovës për protestat e tyre.
Gecaj kërkon që siç i quan ai, anarkistët t’i kërkojnë falje LDK-së dhe liderit të tyre, Isa Mustafës.
“Çfarë po ndodhë me anarkizmin e LVV-së?
Me LVV pajtohem tash-për-tash se Hashim Thaçin duhet ndalur gjithsesi, tjerat janë të diskutueshme! Megjithatë, është shumë intriguese çfarë në të vërtetë po ndodhë me LVV-në! Anarkistët e dikurshëm tani edhe po e informojnë policinë mbi protestat e tyre. Qeverinë më të mirë dhe me duart më të pastra në kohën e pasluftës “desh e patën qitë fare”, me metoda të papara deri atëherë të dhunës së shfrenuar. Ndërsa sot, kur vendi udhëhiqet nga qeveria më e mbrapsht në periudhën e pasluftës, kur Presidenti ndërmerr veprime të dëmshme deri në kufirin e tradhtisë kombëtarë, çuditërisht metodat e LVV-së janë zbutur dhe moderuar si asnjëherë më parë!
Çfarë po ndodhë është më së miri të na shpjegojnë ata vet: vërtetë kanë një urrejtje patologjike ndaj LDK-së; i frikohen qeverisë së “komandantëve”; grupi i larguar ishte gjeneruesi i dhunës; apo ndoshta edhe qëndron konstatimi se ata janë hiq më pak se një dorë e zgjatur e SHIK-ut dhe e Kadri Veselit.
Nëse ka të ngjarë që anarkistët të jenë vetëdijesuar dhe edukuar politikisht, posaçërisht tani kur kërkojnë bashkëpunim, do të ishte e udhës që fillimisht të na kërkonin të falur për dhunën e ushtruar ndaj qeverisë sonë, por edhe ndaj individëve veç-e-veç, posaçërisht ndaj Kryeministrit Isa Mustafa” shkruan Bajram Gecaj./Indeksonline/