08:29 / E Premte, 21 Shtator 2018 / indeksADMonline

McGregor, Khabib-it: Zoti pastë mëshirë për ty, do ta tregoj vendin

Pritja e madhe mbaroi. Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedov janë takuar për herë të parë mes tyre, në konferencën për shtyp që dy kampionët e UFC-së zhvilluan në Nju Jork, në prag të eventit UFC-229 që zhvillohet më 6 tetor në Las Vegas. Nuk munguan batutat, sharjet, fyerjet e kërcënimet mes dy sportistëve, por për fat nuk pati asnjë incident apo kacafytje si gjatë konferencës ashtu edhe gjatë takimit ballë për ballë (face to face).

McGregor tha: “Jam rikthyer. Khabib Zoti ruajtë shpirtin tënd, pasi do të të mund dhe do të të tregoj vendin. Më beso kur ta them këtë gjë”, tha irlandezi, ish-kampion bote në peshën e lehtë, titull që tashmë e mban Nurmgagomedov. Konferenca e shtypit u drejtua nga presidenti i UFC-së, Dana White, që qëndroi gjatë gjithë kohës në mes të dy sportistëve.

Irlandezi, 21 fitore e 3 humbje në kafaz, u paraqit në konferencën e shtypit me dy gjerdanët, ato të titullit kampion të peshës së lehtë peshës pupël (featherweight), tituj që tashmë nuk i mban më. Por edhe me një shishe wiski të markës së tij “Proper 12”. Ndërsa rusi Nurmagomedov, 26 fitore e asnjë humbje në karrierë, mbante gjerdanin e peshës së lehtë, titull që e fitoi në prill të këtij viti dhe që për herë të parë do ta mbrojë ndaj McGregor.