A e goditi Minatori me këngën e fundit Shpend Ahmetin?
Rok kënga e bendit të njohur Minatori “Krejt njëjtë” po konsiderohet si një këngë që e godet qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë.
Pas 16 viteve, bendi i njohur i rokut kosovarë Minatori është rikthyer me një këngë e cila në vete është e mbushur me plot kritika për politikën kosovare, por me theks të veçantë në Prishtinë.
E “Minatori” rikthehet në skenën tonë në kohë fushate për zgjedhje lokale.
Por, shtrohet pyetja:
A e goditi qeverisjen e Shpend Ahmetit Minatori me këngën e fundit?
“Prishtinë e Bukur , Prishtinë e mjerë, ty edhe erën e blirit ta morën në pranverë, ta vjedhin, ta mjelën për një tender, krejt njëjtë” janë disa nga fjalët e vargjeve të “Minatorit” të cilat duket se aludojnë për gjendjen aktuale në Prishtinë dhe Kosovë.
“Patriot, idiota, mediokra rustikanë që kurrë nuk të thonë të lutëm më fal”, janë vargje nga teksti i këngës “Krejt Njëjtë”, e të cilat sot i ka publikuar kompania që qëndron pas këtij projekti, OnAir.
Kjo media ka edhe të drejtat e publikimit të këngës se Minatorit në platformën youtube dhe shkrimi për këngën është raportuar me një fotografi të ilustruar me Shpend Ahmetin dhe titullin ““Minatori” me këngën ‘Krejt Njëjtë’ godet qeverisjen në Prishtinë”.
Edhe në videoklip kënga ka skena me mbindërtimet pa leje te banesave të vjetra, për të cilat ishte premtuar se do të merreshin masa në qeverisjen e Shpendit, por që nuk janë marrë.
Titulli i këngës është “Krejt njëjtë”, e që në njëfarë mënyre Minatori godet qeverisjen e Ahmetit e cila para se të vije në pushtet në Prishtinë kishte premtuar ndryshimin, i cili edhe pas katër viteve nuk erdhi /Express