22:47 / E Enjte, 11 Tetor 2018 / indeksADMonline

Asnjë humbje – Statistikat e jashtëzakonshme të Challandes me Kosovën

Shumë prej nesh u befasuan kur Federata e Futbollit të Kosovës emëroi Bernard Challandes në postin e trajnerit të Kosovës.

Ani pse në moshë, tekniku zviceran e shtyu pensionimin e tij për ta sfiduar veten me një aventurë të re – drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës.

Kjo aventurë po del të jetë pozitive për Challandes, me të cilin, Kosova nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit nën drejtimin e tij.

Ai e ka krijuar një skuadër mjaft kompakte te Kombëtarja, ndërsa, pika më e fortë te ”Dardanët” me Challandes është reparti defanziv.

Në gjashtë ndeshjet e para të Challandes si trajner i Kombëtares sonë, Kosova e ka pësuar vetëm një gol, shkruan IndeksOnline.

Dy ndeshjet e para, të cilat ishin miqësore me Burkina Fason dhe Madagaskarin, Kosova i fitoi, e më pas vazhdoi me fitore edhe ndaj Shqipërisë, 3-0.

Më pas, kosovarët barazuan pa gola në Baku ndaj Azerbajxhanit, për të vazhduar me një fitore, 2-0 përballë Ishujve Faroe në Prishtinë.

Me fitoren e sontme ndaj Maltës, bilanci i Challandes si trajner i Kosovës është: 5 fitore, 1 barazim, 0 humbje.

Ani pse nuk e prisnim, emërimi i Challandes në postin e trajnerit ka ndryshuar për të mirë Kombëtaren tonë, por mbetet të shihet në vazhdim sa do të vazhdojë kjo ecuri impresive./IndeksOnline/