Autobusi me serbë kthehet në Jarinje, synonin të merrnin pjesë në protestën kundër taksës
Policia e Kosovës ka dhënë sqarime sa i përket një autobusi që është kthyer në pikë kalimin kufitar në Jarinje gjatë ditës së sotme.
Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se i është refuzuar hyrja 28 personave të cilët udhëtonin me një autobus pa linjë të regjistruar të qarkullimit.
Sipas tyre, ata kishin për qëllim të merrnin pjesë në protestën e organizuar në veri të Mitrovicës, kundër vendosjes së taksës ndaj Serbisë.
Ky është njoftimi i tyre i plotë:
Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 13:05, ia ka refuzuar hyrjen një autobusi të firmës “Kolasin Prevoz” me targa BG, i cili kishte ardhur si linje e lirë (jo e rregullt) nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës.
Në autobusin i cili kishte ardhur pa pasur linjën e regjistruar të qarkullimit, iu është refuzuar hyrja (28) njëzet e tetë personave, kryesisht të gjinisë femërore të cilat janë prezantuar si “Unioni i grave në Beograd”, të cilën e përfaqësonin gra me profesione të ndryshme.
Sipas informacioneve të siguruara dhe deklarimit të tyre, njëri nga qëllimet kryesore të kësaj vizite, e këtyre personave ka qenë mbajtja e një proteste në Mitrovicë Veri, andaj bazuar në procedurat e parapara ligjore, në pajtim me ligjin për kontroll dhe mbikëqyrje të kufirit, të njëjtëve iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, për arsye se kanë paraqitur kërcënim për rendin dhe sigurinë e vendit.
Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë drejtuesit të autobusit dhe përfaqësuesve të këtij unioni, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë./Indeksonline/