75 Mall Live Search
17:16 / E Diele, 02 Shtator 2018 / indeksADMonline

Çështja e kufijve të Kosovës: Shqiptarët në Suedi kërkojnë dorëheqjen e Thaçit

Dhjetëra qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në Suedi, janë mbledhur mesditën e së dielës para Ambasadës së Kosovës në Stokholm, për të kundërshtuar idenë e lansuar së fundi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për ‘korrigjim të kufirit’ me Serbinë.

Qytetarët ishin pajisur edhe me simbole të ndryshme kombëtare, e me pankarta  në duart ku në disa prej tyre shkruhej edhe “Hashim ik”, ‘Jo ndarje” dhe “Dorëheqja nuk mjafton”, transmeton Indeksonline.

Shqiptarët të cilët jetojnë në Suedi janë shprehur të shqetësuar me politikën aktuale në Kosovë duke thënë se janë kundër veprimeve të fundit nga udhëheqësit e vendit.

“Politikat e tyre janë në kundërshtim të plotë me kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e bashkatdhetarëve.

Nga Suedia, Thaçit i është kërkuar dorëheqja apo shkarkimi i tij përderisa është bërë thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Organizatorët në fjalë kishin akuzuar ditë më parë ushtruesin e detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Suedi, se po tentonte që të penonte protestën dhe kësisoj po përçante shqiptarë e diasporës në Suedi.