23:44 / E Mërkurë, 16 Maj 2018 / indeksADMonline

Del para Gjykatës sportelisti i Postës në Malishevë

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi fillestar kundër të akuzuarit Sahit Hoti nga Malisheva, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pasi që Gjykata e udhëzoi të pandehurin rreth të drejtave të tij, prokurori i çështjes Agron Matjani e lexoi aktakuzën.

Edhe pse u njoftua nga gjyqtari Gëzim Pozhegu se pranimi i fajësisë merret si rrethanë lehtësuese, i akuzuari në prezencën e mbrojtësit të tij Nuhi Krasniqi deklaroi se nuk e pranon fajësinë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar – sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk e përmbushi detyrën zyrtare të tij dhe i shkeli të drejtat të dëmtuarit Naim Sopaj, duke i shkaktuar dëme të njëjtit.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari si drejtor i NNP ”Sopi”, me seli në Prizren, në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor, kishte parashtruar një prapësim kundër urdhrit përmbarimor te përmbaruesi privat Saranda Kuqi, në shtator të vitit 2017.

I dëmtuari kishte dërguar prapësimin në zarf në postën nr.1 të Malishevës, të pranuar nga sportelisti, këtu i akuzuari.

I akuzuari Hoti nuk e kishte dorëzuar te kartuesi Ismajl Telaku, por e kishte dorëzuar pas 4 ditësh dhe kështu kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, ku Gjykata Themelore në Prizren e hedhë poshtë prapësimin e debitorit si të pasafatshme, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime i akuzuari Sahit Hoti, është ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Meqenëse i akuzuari nuk e pranon fajësinë, gjyqtari caktoi seancën e radhës për më 18 qershor.