15:32 / E Premte, 31 Gusht 2018 / indeksADMonline

Falënderim dhe mesazh i presidentit të FFK-s, Agim Ademi

Pak ditë më parë, Kosova mori lajmin e jashtëzakonshëm nga UEFA për stadiumin e rinovuar, ”Fadil Vokrri”.

UEFA dha ”dritën jeshile” që ndeshjet të zhvillohen në këtë stadium dhe kjo i ka gëzuar të gjithë, transmeton IndeksOnline.

Lidhur me licensimin në fjalë, ka folur edhe presidenti i FFK-s, Agim Ademi, i cili ka një falënderim dhe mesazh për të gjithë ne:

Lajmi për licencimin e stadiumit “Fadil Vokrri” nga UEFA ka gëzuar mbarë opinionin në Kosovë. Këtij fakti iu kemi gëzuar të gjithë, pasi tani e tutje, në impiantin modern të futbollit, që e bartë me krenari emrin e ish-presidentit dhe legjendës tonë, do të jehojë kënga e Dardanëve. Për të arritur deri te kjo ditë u dashtë investime dhe shumë punë nga të gjithë. Prandaj, në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, dua të falënderoj të gjitha institucionet për mbështetjen që po i japin futbollit në përmirësimin e infrastrukturës, duke filluar nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe Komunat, si dhe për mbështetjen dhe kontributin e dhënë për projektin e rindërtimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, në mënyrë që ai sot të jetë një impiant i tillë i mrekullueshëm. Në veçanti falënderoj ata të cilët u morën përditë me këtë projekt, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunën e Prishtinës, pastaj ekipet e punëkryerësit, Al Trade, për punën e mirë, ekipin mbikëqyrës dhe ekipin e FFK-së që bashkërisht e bënë më të mirën në finalizimin e punëve në stadium. Një falënderim i veçantë shkon edhe për inspektorët dhe organet e UEFA-s dhe FIFA-s për ndihmën, këshillimin dhe durimin për të finalizuar me sukses këtë projekt të interesit nacional, prandaj edhe një herë faleminderit të gjithëve dhe urime futbollistëve, tifozëve dhe të gjithë atyre që e përdorin. E gëzofshim të gjithë.

Kur jemi të stadiumet, ekipet tona kombëtare shumë shpejt do të bëhen edhe me Qendrën stërvitor nacional, i cili do të ndërtohet në stadiumin aktual ‘Agron Rama’ në Obiliq. Me këtë rast falënderoj edhe Asamblenë Komunale të KK të Obiliqit dhe kryetarin Xhafer Gashi, që e mundësuan realizimin e këtij investimi, ku nëpërmjet një memorandumi nëpërmes MKRS-së iu dha ajo tokë FFK-së për të ndërtuar këtë kompleks, ku do të investohen 3 milionë euro dhe që do të shërbejë për zhvillimin dhe përparimin e futbollit tonë.

Tani kur me ndihmën e institucioneve shtetërore dhe të UEFA-s e FIFA-s kemi filluar ta përmirësojmë dukshëm infrastrukturën e objekteve sportive, e kemi për obligim që të kujdesemi dhe t’i mirëmbajmë ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj, kërkoj nga menaxhmenti i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ që ta trajtojnë dhe ta mirëmbajnë atë si objekt të rëndësisë së veçantë, dhe njëherësh edhe stadiumet e tjera të menaxhohen dhe mirëmbahen si duhet dhe të jemi shembull për të mirë. FFK-ja do të jetë përherë pranë ekipeve menaxhuese sa herë që ato kanë nevojë për seminare apo këshillime të ndryshme rreth mirëmbajtjes së stadiumeve. Njëherësh edhe do të monitorojmë në aspektin profesional punën e mirëmbajtjes së stadiumit në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë degradim. Prandaj, i lus të gjithë që të kemi kujdes maksimal dhe t’i kushtojmë vëmendjen e duhur stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në mënyrë që ai të mos e humb nivelin e kategorisë së katërt. Po ashtu, inkurajoj klubet dhe komunat që të vazhdojnë punët në rinovimin e stadiumeve tjera që edhe ato të arrijnë në nivelin e kategorisë së dytë.

Në fund, dua të jap edhe një mesazh tani kur jemi në prag të fillimit të garës së re të UEFA-s, Ligës së Kombeve, por edhe ndeshjeve kualifikuese të ekipeve tjera zinxhir të kombëtares, U-21, U-19, U-17 dhe Kombëtares U19 të femrave. Në kualifikueset e kaluara për Botërorin “Rusia 2018”, Kombëtarja e Kosovës hasi në shumë vështirësi e peripeci, pasi ndeshjet si vendas ishim të obliguar t’i luanim në Shkodër. Por, tani rrethanat kanë ndryshuar dhe ndeshjet do t’i luajmë në kryeqytetin tonë, aty ku nuk dyshoj në mbështetjen e fuqishme të tifozerisë. Kombëtarja jonë tashmë është rritur dhe është gati për sfidat që e presin në Ligën e Kombeve. Ne si popull njihemi për atdhedashuri dhe karakter fituesi, prandaj pres që secili të jap kontributin dhe angazhimin e tij maksimal për të arritur rezultatet më të mira të mundshme, në mënyrë që ta prezantojmë shtetin tonë me dinjitet e krenari dhe njëherësh ta nderojmë ish-presidentin dhe legjendën tonë, Fadil Vokrri me suksese të vazhdueshme dhe ta bëjmë popullin tonë të krenohet me futboll. Gjithsesi, djelmoshave e vashave tona u duhet përkrahja dhe zëri i fuqishëm i Dardanëve, prandaj u bëj thirrje adhuruesve që të vijnë në numër sa më të madh në stadiumet tona në përkrahje të Kombëtareve. T’i japim përkrahje të zjarrtë Kombëtares dhe të jemi shembull për tifozeritë e vendeve tjera.

Faleminderit e na prift e mbara!/IndeksOnline/

Temat: