18:38 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Gjilani nuk e aktivizoi, Morina sqaron problemin me Armend Thaqin

Skuadra e Gjilanit u kualifikua për në raundin tjetër (çerekfinale) të Kupës së Kosovës, pasi mposhti në minutën e fundit klubin e Ballkanit, me rezultat minimal 1 me 0.

Shumë tifozë nga Gjilani, “Skifterët” udhëtuan në Suharekë për ta përcjellë këtë ndeshje. Megjithatë ishin të befasuar nga mos inkuadrimi në lojë të Armend Thaqit, një prej lojtarëve më të mirë në skuadrën gjilanas, shkruan IndeksOnline.

Edhe pse trajneri është ai që vendos për formacionin në një ndeshje, mos inkuadrimi i Thaqit kishte të bënte me një vendim ndryshe, pas problemeve mes lojtarit dhe kryesisë.

Sipas trajnerit Arbnor Morina, ky vendim për mos inkuadrimin e Thaqit erdhi nga kryetari i klubit, Florim Zuka.

“Këtë vendim e ka marrë kryetari i klubit si rrjedhojë e situatës së transferimit në një klub nga Shqipëria gjatë afatit kalimtar. Kritikët duhet ta dinë se politikën e klubit e udhëheq kryetari dhe dy drejtorët, e unë ju jap llogari atyre dhe askujt tjetër. Armendi si secili lojtarë tjetër i nevojitet klubit duke u bazuar në normat që i ka përcaktuar kryetari dhe dy drejtorët”, ka thënë Morina për IndeksOnline.

A do të largohet Thaçi nga Gjilani, apo do të normalizohen gjërat, Morina thotë: “Gjithsesi që po punohet të normalizohen gjërat”.

Për këtë situatë nuk ka dashur të flas shumë lojtari kosovar, Armend Thaqi:

“Nuk kam çka të komentoj ma shumë për mos inkuadrimin tim në fushë dje, le të flasin ata që vendosën ashtu. Është një çështje që s’kisha dashtë me hi më gjerësisht me fol se pse Armend Thaqi nuk po aktivizohet. Me rëndësi është që ekipi kaloj në raundin tjetër dhe është në garë ende. Kjo është ma e mira që ka mundur me ndodh, për ma shumë s’kam çka flas”, ka thënë Thaqi.

Skuadra e Gjilanit kthehet në aksion në Superligë, këtë vikend kundër Flamurtarit në Prishtinë./IndeksOnline/