10:05 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Erdha në Qeveri me bombën e kurdisur për gjendjen e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për gjendjen energjetike në vend.

Ai ka thënë se është duke u importuar gjysma e kapacitetit të kërkuar të energjisë elektrike dhe se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e vendimit të gjykatës për mospagesë të rrymës në veri dhe mos nxjerrjen e qymyrit.

Sipas Llukës, ekzistojnë dy skenarë për këtë ose të paguhet rryma me 18.5% rritje ose të paguhet rryma me 11% rritje e të humbet 30 milionë euro.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kur ka ardhur në Qeveri ka marrë bombën e kurdisur për gjendjen në energji.

Për rritjen e çmimit të rrymës që është i pashmangshem, fajtor janë “sekserët e KEK-ut”.

Ai tha se gjendja që është sot ka ndodhur nga qeveria e Isa Mustafa, qeveri e cila nuk ka ndërmarrë asgjë për përmirësimin e kësaj situate.

Investimi i ri për termocentralin “Kosova e Re” nuk ndikon në rritjen e çmimit madje sipas Haradinaj funksionimi i këtij termocentralit do të stabilizoj çmimin.
Sipas Haradinajt, importi i madh i energjisë ka ndikuar në rritjen e çmimit.

“Qeveria e Kosovës nuk do të jap asnjë cent KEK-ut për të importuar energji ajo është kompani e duhet të sigurojë vetë”, tha ai, duke kërkuar nga KEK që të kujdesen për këtë situatë që drejtorëve të mos rrinë në objektet e tyre. Ai gjithashtu paralajmëroi që pasojat për këtë situatë duhet t’i paguajnë të gjithë.