23:44 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

Këto dy shtete evropiane përfshihen nga temperaturat rekorde

Temperaturat në Gadishullin Iberik mund të arrijnë deri në 50 gradë Celsius fundjavën e ardhshme duke thyer çdo rekord të motit të nxehtë të regjistruar deri tani në Evropë.

Alarmi u njoftua nga meteorologë të ndryshëm, të cilët paralajmëruan për rrezikun e zjarreve si dhe shëndetin e njerëzve, veçanërisht të moshuarve dhe fëmijëve.

“Nuk përjashtohet që nga e premtja deri të dielën temperaturat të arrijnë në 49 gradë Celsius në jug-perëndim të Spanjës dhe në disa pjesë të Portugalisë jugore”, theksoi Tyler Roys, meteorolog i qendrës AccuWeather.

Nëse parashikimet konfirmohen do të bëhej fjalë për temperaturën më të lartë të regjistruar në Evropë gjatë 41 viteve të fundit.

Rekordi aktual daton në korrik 1977, kur në Athinë u regjistruan temperatura që arrinin deri në 48 gradë Celsius.

Por, e gjithë Evropa është përfshirë nga një valë e jashtëzakonshme të nxehti, që ka regjistruar temperatura të pazakonta edhe në vendet më veriore të saj.