18:14 / E Shtunë, 10 Nëntor 2018

Komplet klubi i Leicester City dalin në mesfushë ta nderojnë presidentin

Leicester ka luajtur sot ndeshjen e parë në King Power Stadium që pas tragjedisë së 27 tetorit, ku pronari i ‘Dhelprave’ u nda nga jeta, së bashku me 4 persona të tjerë në aksidentin me helikopter.Gjithçka ka ndryshuar në Leicesterit.

Vdekja e Vichai Srivaddhanaprabha ka lënë një boshllëk të madh në qytetin që vetëm para 2 vitesh festonte titullin më të pamundur në histori dhe sot zhvilloi ndeshjen e parë në shtëpi, pa pronarin e paharrueshëm në tribunë.

Një ditë drithëruese, e gjitha kushtuar personit që e ktheu Leicesterin në një klub të njohur dhe të dashur në gjithë botën.

Para fillimit të ndeshjes me Burnleyn, i gjithë ekipi u bashkua në mesfushë për të kujtuar ish-pronarin.

Dy minuta heshtje absolute (për Vichain dhe për Remembrance Day, dita e dëshmorëve të Luftës së Parë Botërore), në mes tyre edhe i biri i Vichait, i cili do të vazhdojë misionin, ndërsa nuk mund të mungonte edhe Claudio Ranieri, i cili u kthye në stadiumin ku ka shkruar historinë.

Jashtë stadiumit, tifozët ishin me mijëra për të kujtuar presidentin, duke vendosur lule e duke lënë mesazhe në një zonë të caktuar.

Një ylber doli mbi King Power pak orë para ndeshjes, që u luajt nën një shi të lehtë e të pandalshëm, sikur edhe moti vajtonte në këtë ditë të hidhur.

Mijëra tifozë u bashkuan që në drekë, për të marshuar drejt stadiumit, në “Rrugëtimin për Vichain”, i pagëzuar edhe si “Rrugëtimi 5000:1”, për kuotën e famshme që Leicester dilte kampion para dy vitesh, ndërsa në sheshin e qytetit një parullë shkruante: “Për ty, Zoti President, Leicester të do më shumë se sa do ta dish ndonjëherë”.

Temat: