17:52 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

LDK i përgjigjet Thaçit rreth rezolutës për Preshevën: Lojërat e tua do t’i demaskojmë deri në fund!

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi së bashku me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë shpalosur idenë për një rezolutë për Preshevën përkatësisht komunave me shumicë shqiptare që janë në Serbi.

Kësisoj, Thaçi ka paraqitur draft-rezoluten që shumë shpejtë edhe pritet ta dërgojë në Kuvend për t’u votuar.

Sipas të parit të shtetit, rezoluta në fjalë mundëson bashkimin me Preshevën.

Lidhur me këtë çështje, është deklaruar partia më e madhe opozitare në vend, LDK-ja.

Zyrtarë të kësaj të fundit kanë thënë se nuk bëhet fjalë për rezolutë, pasi që legjislativi që disa vite ka një të tillë për bashkim me Preshevën.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se këto janë vetëm vazhdim i lojërave të Thaçit. Sipas tij, presidenti është zhytyr në baltë dhe tani po kërkon të nxirret nga ajo.

“Unë konsiderojë se kjo që e ka thënë z. Thaçi është vazhdim i lojërave të tij dhe tentim për t’u nxjerrë  nga balta duke e parë që s’po mund të realizon atë që ka premtuar dhe tash  tenton me këto makinacione. Unë konsiderojë se kjo që ai e ka thënë është tentim me legjitimu atë që ai në realitet dëshiron të bëj d.m.th me hi në pazare rreth këmbimit të territorit  dhe nuk ka të bëjë kjo fare me Luginën e Preshevës, thjeshtë ne jemi të bindur se kjo është vazhdim i makinacioneve të tij dhe kryesore është se Kuvendi e ka një rezolutë e cila i hap dyert që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës  nuk ka nevojë për kurrfarë rezolute të re  por është shumë e qartë që nuk është punë rezolute kjo pra nuk është punë e vullnetit të njëanshëm tonë por kjo dihet si bëhet, ne konsiderojmë se është vazhdim i lojërave të z. Thaçit dhe i manipulimit të tij  dhe fatkeqësisht po luhet me ndjenjat e qytetarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë Beqiri.

Më tutje, deputeti i LDK-së ka theksuar se nuk dëshiron t’i kontestoj vullnetin, ndjenjat e as të drejtën e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

“Asnjë shqiptar nuk është  kundër kësaj, por une thjeshtë mendoj që Hashim Thaqi po bën lojë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka thënë se LDK pasi të shohin tekstin dhe kërkesën do të dalin edhe  me  një qëndrim zyrtar sepse sipas tij, kanë problem me bazën ligjore të kësaj rezolute. Megjithatë, Beqiri thekson se partia e Isa Mustafes gjithnjë lojërat e Thaçit do t’i demaskon deri në fund.

Ndërkohë, përfaqësues të Luginës së Preshevës presin që draft-rezoluta e propozuar nga Thaçi të votohet nga të gjitha Grupet Parlamentare, duke iu bërë kështu thirrje PDK-së, LDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes, PSD-së, Nisma Socialdemokrates, Alternativa dhe gjithë partive të tjera në Parlament./Indeksonline/