Marina dhe Luana në ‘luftë’ për klikueshmëri
Motrat Vjollca janë padiskutim dy nga emrat më të përmendur aktualisht në botën e televizionit. Marina dhe Luana e kanë nisur karrierën e tyre në të njëjtën mënyrë, si velina të programit investigativ “Fiks Fare”. Dy motrat spikatën menjëherë që pas daljes së tyre edhe pse njëra zgjodhi të ishte më aktive në televizion.
Marina Vjollcën e njohëm fillimisht si velinën bionde të “FIks Fare”, e cila pas një sezoni të suksesshëm të emisionit e ripamë si prezantuese në “Top Select”. Nuk do të vononte shumë koha kur Marinës do i besohej një tjetër program në Top Channel. Për vite me rradhë në mbrëmje publiku shqiptar e pa bukuroshen e njohur përkrah moderatorit Edi Manushi në programin “Procesi Sportiv”, një emision ky me të cilin Marina identifikohet edhe sot.
Por kimia skenike e dy motrave Vjollca bëri që “Top Media” ti besonte të dyjave prezantimin e finales së “Top Fest”, festivalit të muzikës moderne në të cilin ato u shfaqën përkrah Ledion Liços. Jo vetëm kaq por Luana dhe Marina e vijuan bashkëprezantimin e tyre edhe në ”Summer Fest”, programi veror i Top Channel që shëtit gjatë stinës së nxehtë në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Ndërsa Luanën fillimisht e njohëm si velinën brune të “Fiks Fare” me të cilën publiku u dashurua menjëherë. Ndryshe nga e motra ajo nuk u përfshi në televizion menjëherë pas largimit nga emision investigativ. Megjithatë nuk vonoi shumë dhe Luana u shfaq si një nga bashkëprezantueset e emisionit të së dielës në Top Channel “E diell”, ku iu besua rubrika “Pa limit”.
“Pa limit” për disa sezone rradhazi pati pëlqyeshmërinë e publikut derisa kaloi si një program më vete mbrëmjen e së hënës. Ndryshe nga Marina e cila u fokusua në kornizat e televizionit, Luana ekperiementoi dhe në muzikë, duke publikuar disa videoklipe të cilat përgjithësisht patën pëlqyeshmërinë e publikut. “Je veç ti”, “Askush s’do ta besojë”, “Tirana Lifestyle”, “Luanët” “ E jemja” dhe së fundmi “Benzina” janë disa nga këngët që Luana ka publikuar në karrierën e saj si këngëtare.
Motrat Vjollca janë ndër personazhet më të ndjekur në rrjete sociale dhe numërojnë me mijëra ndjekës aktivë; Luana me 914 mijë ndjekës dhe Marina me 807 mijë të tillë. Përsa u përket jetës së tyre private ato kanë qenë gjithnjë të shënjestruara nga gazetarët për lidhjet e tyre të dashurisë. Në fillim të muajit shtator Marina i dha fund beqarisë duke u martuar me reperin e njohur Getoar Selimi. Nga ana tjetër Luana mban ende statusin e beqares edhe pse prej kohësh flitet se ajo është në një lidhje me Krenar Cocajn.
Pavarësisht se në profesion mund t’i konsiderojmë edhe konkurrente, Luana dhe Marina mbeten gjithnjë motra dhe shoqe shumë të mira të njëra-tjetrës. Shpeshherë në hashtaget e Instagramet e njëra-tjetrës e quajnë njëra-tjetrën gjysëm e tyre më të mirë./Blitz.al/