22:34 / E Enjte, 20 Shtator 2018 / indeksADMonline

Megjithatë, Bylbyl Sokoli do të vazhdojë ta drejtojë Llapin

Ndonëse ishte konfirmuar pak ditë më parë largimi i tij nga Llapi, Bylbyl Sokoli do të vazhdojë tutje me Llapin.

Pas disa mosmarrëveshjeve me klubin nga Podujeva, Sokoli ishte larguar nga posti i trajnerit.

Tani edhe zyrtarisht klubi i Llapit e ka konfirmuar se Sokoli do të mbetet trajner i skuadrës.

Ishte insistimi i presidentit, Nexhat Dumnica, që ndikoi te Sokoli të vazhdojë me Llapin, mëson IndeksOnline.

Në vazhdën e këtyre zërave, dje IndeksOnline kishte kontaktuar trajnerin e mirënjohur kosovar, por ai nuk e kishte mohuar largimin dhe se kishte thënë se do të deklarohet më vonë.

Përndryshe, Llapi nën urdhrat e Sokolit ka grumbulluar dhjetë pikë dhe renditet në vendin e katërt në renditjen tabelare në Superligën e Kosovës në futboll.

Ky është njoftimi i plotë nga Llapi:

Njoftim për Media dhe Opinionin Publik

Kryesia e KF Llapit pas kthimit nga Ohri të Prof Bylbyl Sokolit ka thirrur takim të rregullt pas zhvillimeve të fundit të publikuara në media kinse Prof Bylbyl Sokoli ka dhënë dorëheqje.

Bordi i Aksionarëve ua rikonfirmon edhe njëherë gjithë opinionit dhe dashamirëve të futbollit dhe të KF Llapit se Prof Bylbyl Sokoli ka përkrahjen e plotë nga Bordi i Aksionarëve dhe do të ketë mbështetjen deri në përfundimin e kontratës ku ne ia kemi besuar detyrën duke u bazuar në përgaditjen profesionale dhe Sportive si Kryetrajner i KF Llapit drejt synimeve të përcaktuara nga Bordi i Aksionarëve.

Dezinformatat në disa portale në bashkëpunim me disa individ jashtë klubit kanë për qëllim prishjen e atmosferës brenda Klubit më të organizuar në Kosovë. Ne ua rikojtojmë edhe njëherë se Bordi i Aksionarëve është i bashkuar fuqishëm dhe nuk mund të përçahet sepse kemi të bëjmë me shumicën e Aksionarëve të nivelit lartë, prandaj njoftojmë dashamirët e futbollit dhe në veçanti të KF Llapit mos të bien pre e dezinformatave dhe individëve.

Bordi Drejtues poashtu shqyrtoi ecurinë e kampionatit deri më tani, dhe e vetmja pikë shqetësuese është referimi në përgjithësi, veçanërisht në ndeshjen e fundit KF Llapi – KF Flamurtari të drejtuar nga Gjyqtari Fatmir Tahiri e cila ishte skandaloze dhe në shërbim të dikujt që më së miri e din ky dhe Shefi i tij Përparim Hasani.

Kërkojmë nga Kryetari i FFK-së Z.Agim Ademi të merr hapat ligjor ndaj këtyre dukurive në të kundërtën ne nuk marrim përgjegjësi në rast se adhuruesit e KF Llapit do të protesojnë dhe eskalon situata nga këto dukuri negative në kohën kur futbolli Kosovar po ngritet nga rruga të cilën na e ka trasuar Presidenti Legjendar Fadil Vokrri.

Për të gjitha vendimet që i merr Bordi i Aksionarëve do të njoftoheni me kohë në mjetet e komunikimit zyrtar të KF Llapit.

/IndeksOnline/