23:00 / E Martë, 02 Janar 2018 / indeksADMonline

Ministri Hasani premton përkrahje për prodhuesit vendor edhe në vitin 2018

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është vlerësuar si ndër ministritë me aktive sa i përket 100 ditshit të parë të Qeverisë Haradinaj.

Në këto 100 ditë, ministri Bajram Hasani ka marrë një serë vendime të cilat kanë për qëllim mbështetjen e prodhuesve vendor.

Vendimet e tij për t’i vendosur tarifë disa produkteve qe vijnë nga Serbia nuk janë mirëpritur në këtë shtet, madje ka pasur kundërshtime dhe reagime të ashpra nga Serbia për vendosjen e tarifës për miellin dhe disa produkte ndërtimore.

Në një intervistë, për ‘Indeksonline’, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka thënë se nuk do të ndalet me kaq duke paralajmëruar kështu vendime tjera, të cilat ai beson se do të ndikojnë në mbështetjen e prodhuesve vendor.

Intervista e plotë e ministrit Hasani për Indeksonline.

Indeksonline: Cilat ishin sfidat më të mëdha përgjatë këtij 100 ditshit si ministër?
Bajram Hasani: Është normale që kur merr një detyrë të re të duhet pak kohë që të kyqesh në temë, dhe të fillosh që me futjen e prioriteteve tua, mënyrës së punës tënde dhe qasjen tënde. Mirëpo, ne kemi shku të përgatitur, me vizion të qartë se çka duam të arrijmë për 100 ditë, dhe kemi filluar punën qysh ditën e parë. Kështu që nuk kisha veçuar ndonjë sfidë të madhe sa i përket punës. Punëtoret në ministri në ditët e para e kanë kuptuar që ne kemi një dinamik tjetër të punës, një çasje ndryshe dhe janë përshtatur shpejt, gjë për të cilën i falënderoj.

Indeksonline: Cili mendoni se ka qenë vendimi më i mirë i juaji në krye të kësaj ministrie?
Bajram Hasani: Për këto 100 ditë ju e dini që ne si ministri kemi marrë disa vendime të rëndësishme. Vendime këto për të cilat jam krenar dhe kanë pas impakt direkt në jetrat e njerëzve por edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi munduar që me secilin vendim që kemi marrë të kemi impakt pozitivë ne zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.

Indeksonline: Me çfarë sfidash po përballen prodhuesit vendore dhe sa është e vështire përkrahja e tyre?
Bajram Hasani: Sfidat e prodhuesve vendor janë të shumta, duke filluar nga barrierat tregtare, konkurrenca jo lojale e shumë të tjera. Ne si qeveri kemi prioritet mbështetjen e tyre, duke qenë të bindur që duke mbështetur prodhuesin vendor jemi duke fuqizuar ekonominë tonë. Prandaj, pa marrë parasysh sfidat ne jemi të vendosur që të vazhdojmë t’i përkrahim ata në secilën mënyrë që na lejon ligji dhe marrëveshjet tregtare. Jemi të interesuar në që Kosovë të krijojmë një treg në të cilën konkurueshmëria është lojale, që respektohen rregullat e tregut të lirë, ku mbrohen konsumatorët etj.

Indeksonline: Sa ka qenë e vështire për ju ndalja e eksportit te miellit nga Serbia dhe vendosja e tarifës për miellin nga Serbi?
Bajram Hasani: Ne jemi të zgjedhur për të marrë vendime, sado të vështira të jenë ato. Ajo çka më intereson mua si Ministër është që secilin vendim që e marrë të jetë i bazuar në ligj dhe të jetë në favor të vendit tonë, të ekonomisë sonë. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt, nuk mendoj që ka qenë e vështirë sepse ne kemi zbatuar ligjin, kemi mbrojtë prodhuesit tanë nga kemi krijuar një konkurencë lojale në treg.

Indeksonline: MTI ka sponzorizuar ligjin për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Sa është mirëpritur kjo nga qytetarët e Kosovës?
Bajram Hasani: MTI është e vendosur që të punoj fortë në thithjen e investimeve të huaja. Sponzorimi i këtij ligjin shkon në atë funksion. Ne duhet t’i joshim investitorët e huaj, ruajta e tokës shtetërore është njëra nga mundësit e vetme për atë joshje. Prandaj, duke pasur gjitha këto parasysh, mendoj që edhe qytetarët janë të interesuar që të kemi investitor të jashtëm, të krijojmë vende të reja të punës dhe çdo hapë që shkon në drejtën të saj përshëndetet dhe pritet mirë.

Indeksonline: Ditë me parë keni nënshkruar një marrëveshje me Zvicrën, ku kjo e fundit i dhuroi 7 milionë euro për zhvillimin e sektorit privat dhe punësim. Ku saktësisht do të shkojnë këto para?
Bajram Hasani: Po ne kemi nënshkruar një marrëveshje me qeverinë federale të Zvicrës në projektin e njohur si PPSE. Është një marrëveshje përmes të cilës synohet të përkrahen bizneset e vogla dhe të mesme me një fokus të veçantë në bizneset që udhëhiqen nga gratë.

Indeksonline: Çfarë projekte keni paraparë për vitin 2018?
Bajram Hasani: Prioritet i qeverisë së re të republikës është hapja e vendeve të reja të punës, vazhdimi i përkrahjes ndaj bizneseve, me fokus të veçantë në prodhuesin vendorë. Duke pasur këto parasysh, ne si ministri me agjencionin përkatës do të vazhdojmë të investojmë në zona ekonomike për të krijuar hapësirë dhe kushte më të mira për funksionimin e biznesit. Momentalisht jemi në proces të ndërtimit të disa zonave ekonomike, kemi përpara që të vazhdojmë me to dhe të hapim edhe mundësi për ndërtimin e zonave të reja. Gjithashtu, në funksion të përkrahjes dhe stimulimit të biznesit kemi paraparë që gjatë këtij viti të shpërndajmë edhe grante për bizneset. Kjo, më qellim të rritjes së punësimit dhe ngritjes së ma tutjeshme të kapaciteteve prodhuese në vend dhe rritjes së eksportit.

Indeksonline-Urimi juaj për vitin 2018?
Bajram Hasani: Unë uroj të gjithë qytetarët e Republikës për festat e fundvitit. Uroj që viti i ri të na sjell më shumë suksese, shëndet dhe mbarësi në secilën familje të Kosovës. Shpresojmë dhe po punojmë që viti i ardhshëm të jetë vit i punës dhe zhvillimit të vendit, vit i kthimit të shpresës./Indeksonline/

Temat: