20:45 / E Martë, 20 Nëntor 2018

Në kohën e Putinit, është çmenduri t’ia lësh Interpolin një rusi

192 vendet anëtare të Interpolit do të mblidhen këtë javë për të caktuar presidentin e ri të organizatës. Çuditërisht, kandidati favorit është Aleksandër Prokopçuk, përfaqësues i agjencive ruse për zbatimin e ligjit, të cilat kanë kohë që abuzojnë me sistemin e Interpolit.

Prokopçuk është gjeneral major në policinë ruse dhe ka punuar me zyrën ruse të Interpolit që prej vitit 2006, fillimisht si zëvendës drejtor dhe pastaj si drejtor. Gjatë drejtimit të tij, abuzimet ruse me Interpolin janë bërë epidemike, ndërkohë që sistemi i Putinit ndëshkonte armiqtë me dorë të hekurt. Aktivistë politikë, biznesmenë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe shumë të tjerë e kanë gjetur veten në rrezik dëbimi apo ekstradimi për shkak se autoritetet ruse kanë thënë se kanë pasur arsye për t’i dënuar. Këto praktika vazhdojnë edhe sot.

Kremlini nuk është i vetmi që shfrytëzon bashkëpunimin me policinë ndërkombëtare për të përndjekur kundërshtarët nëpër botë, por është më aktivi. Rregullorja e Interpolit supozohet të ketë masa që parandalojnë përndjekjet politike. Megjithatë, ka qenë e vështirë të zbatohen, pasi vetë sistemi varet nga besueshmëria e të dhënave që i japin agjencitë e huaja.

Me rastin e Rusisë, cenueshmëria e sistemit të Interpolit është shumë e qartë. Grupi kriminal që është në pushtet e përdor sistemin për të mbrojtur interesin e drejtuesve politikë, jo të popullit. Si pasojë, policia nuk lufton kundër krimit të organizuar, por bashkëpunon me ta. Hetimet kriminale janë shpesh mënyrë e mirë për t’u zhvatur para ose prona. Ata kanë pak lidhje me zgjidhjen e krimeve apo vënien e drejtësisë.

Për shembull, njerëzit që kanë porositur vrasjen e gazetares Ana Politkosvskaja dhe të politikanit Boris Nemtsov, nuk janë identifikuar kurrë. Jo sepse ishte e pamundur t’i gjeje, por sepse hetuesit nuk janë lejuar të marrin në pyetje të dyshuarit. Përdorimi i poloniumit për varsjen e Litvinenkos, në Londër, në vitin 2006, dhe përdorimi i armëve kimike për të helmuar Skripalin dhe vajzën e tij në Salisbëri, nuk janë ndjekur nga hetime në Rusi.

Përkundrazi, Putini ka dekoruar të dyshuarin kryesor në çështjen e Litvinenkos dhe ka mohuar të ketë prova që e lidhin Rusinë me përpjekjen për të vrarë Skripalët, pavarësisht provave të shumta që janë paraqitur nga policia britanike, si dhe pasi u vërtetua që dy të dyshuarit ishin përfaqësues të shërbimit sekret rus.

Zbulimi i 400 kilogramëve kokainë në ambasadën ruse, në Buenos Aires, tregon se sa i lidhur është krimi i organizuar me shtetin rus. Droga duhej të transportohej në Rusi si ngarkesë diplomatike.

Kremlini, ndërkohë, ka vazhduar të përdorë sistemin e “njoftimit të kuq” të Interpolit për të shënjestruar individë që kanë marrë azil politik në vende të huaja, pavarësisht përpjekjeve të Interpolit për ta zhdukur si praktikë.

Interpoli e përshkruan misionin e vet si bashkërenditje të punës së policisë për një botë më të sigurt. Nëse vendet demokratike janë të përkushtuara që ta mbështesin rendin ligjor në Rusi dhe nëpër botë, ata duhet të bashkëpunojnë dhe të gjejnë një alternativë tjetër në vend të Prokopçukut.

Nuk mund të vësh sanksione kundër grupit kriminal në Kremlin dhe pastaj t’i besosh menaxhimin e Interpolit dikujt që ka lidhje me ata.

Të caktosh një anëtar të aparatit të kriminalizuar rus në krye të Interpolit do të minonte vlerat e tij dhe do të çonte sinjale në të gjithë botën se abuzimet e shtetit rus me ligjin janë të pranueshme. Po ashtu, do të vononte reformën që është vënë në zbatim dhe që nevojitet aq shumë.

Duke mos vepruar, forcat e liga që perëndimi i ka luftuar kaq shumë që nga viti 1945, do të vazhdojnë të forcohen. Policia ndërkombëtare e ka një vit të errët në histori. Në vitin 1942, nazistët zaptuan institucionin paraardhës të Interpolit, Komisionin Ndërkombëtar të Policisë kundër Krimit, dhe në krye vendosën Reinhard Heydrich, arkitektin e Holokaustit. Do të ishte tragjedi e madhe sikur një forcë që ka synime të mira shkon dhe i dorëzohet interesave të kriminelëve që kanë si qëllim t’ia pengojnë punën.

Mikhail Khodorkovsky, The Guardian