13:21 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Policia tregon pse i ndaloi pesë serbë në Pejë

Policia e Kosovës dje ka ndaluar pesë persona të komunitetit serb, të cilët janë kapur duke xhiruar stacionin policor në Pejë.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, sipas të cilit, të dyshuarit janë lënë të lirë në mbrëmje.

“Më 28 mars rreth orës 18:30 afër stacionit policor në Pejë janë ndaluar pesë persona.

Tre nga Beogradi, një nga Prishtina dhe një nga Fushë Kosova, që të gjithë serb. Arsyeja e ndalimit e pastaj edhe e shoqërimit në stacion ka qenë se janë vërejtur duke incizuar me kamera në drejtim të stacionit policor në Pejë”, ka thënë Ibraj.

Sipas tij, të ndaluarit kishin deklaruar se janë pjesë e një organizate, por që nuk kishin dokumenta për ta vërtetuar një gjë të tillë.

“Pastaj gjatë zhvillimit të bisedave ata kanë thënë se janë organizatë joqeveritare (shërbime juridike pa pagesë), por të njëjtit nuk kanë poseduar asnjë lloj dokumenti për të dëshmuar një gjë të tillë për organizatën në fjalë. Ata kanë hy në Kosovë më 26 mars rreth orës 10:00 përmes pikës kufitare të Jarinjës. Për ta është konsultuar edhe prokuror i shtetit dhe rreth orës 22:40 janë liruar për të shkuar në drejtim të tyre”, ka përfunduar Ibraj./Indeksonline/

Temat: