11:05 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Prishtina – Drita, FFK-ja del kundër/ Remzi Ejupi: Nuk e dimë se cila është arsyeja (Video)

Presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi është deklaruar pas takimit të mbajtur në stadiumin e kryeqytetit me disa zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Skuadra me traditë në futbollin kosovar, po kërkon vazhdimisht që ndeshja e fundit në Superligën e Kosovës, mes Prishtinës dhe Dritës të luhet në stadiumin e kryeqytetit, shkruan IndeksOnline.

Megjithatë edhe në takimin e mbajtur sot, FFK-ja ka dal kundër dhe kjo ndeshje me shumë gjasa nuk do të luhet në Prishtinë.

Për këtë vendim ka folur Remzi Ejupi, i cili thotë se asnjë stadium në Kosovë nuk i ka kushtet për t’u zhvilluar një ndeshje e tillë.

“Takimi ishte mjaftë i tensionuar. Komuna ishte për, Ministria ishte për. Natyrisht edhe punë-kryerësi tha se gjysma e punës ka përfunduar. Por, përfaqësuesi i Federatës ishte vazhdimisht kundër, dhe potenconte se stadiumi nuk është i licencuar. Ne e dimë se sa stadiume janë të licencuar këtu në Kosovë me kushtet minimale. Unë mbrëmë takova Fadil Vokrrin, u duk dhe u bind se do të jetë pozitiv, por brenda natës dhe sot ka ndryshuar. Dhe presioni vjen nga Federata që kjo ndeshje të mos luhet këtu po diku tjetër”, ka thënë Ejupi.

“Ne prapë do të kërkojmë nga Ministria që kjo ndeshje të luhet këtu. Besoj që pasdite do të vendoset për fatin e ndeshjes Prishtina – Drita. Kjo duket se është luftë meritash, se kush do ta pre shiritin. Na nuk po prejmë shirit, por duam që kjo ndeshje të luhet këtu. Fundi i fundit kjo është meritë e qytetarit, pasi ky stadium është rregulluar nga taksat e qytetarëve. Fajin kryesor e ka Federata e Futbollit të Kosovës”, shtoi presidenti i klubit bardhekaltër.

Ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës është vendimtare për titull të Superligës. Nëse Prishtina fiton me dy gola në epërsi, atëherë shpallet kampion, përndryshe çdo rezultat automatikisht e shpall kampion klubin nga Anamorava./IndeksOnline/