13:45 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

PSD: Thaçi nuk ka legjitimitet për të udhëhequr dialogun

Partia Socialdemokrate është shprehur edhe një herë kundër që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i prijë procesit të dialogut me Serbinë në Bruksel, duke thënë se një gjë të tillë duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, pasi sipas kësaj partie, ai është i vetmi organ që ka legjitimitet për një gjë të tillë.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë në një konferencë për media se është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të marrë rol udhëheqës në këtë proces të dialogimit.“Kjo nënkupton që kuvendi duhet të jetë i përfshirë që nga fillimi e deri në fund. Legjitimiteti fitohet vetëm nëse kuvendi është i përfshirë në këtë proces përgjatë gjithë dialogut. Strategjia, platforma duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Ne si parti konsiderojmë se kjo platformë duhet të shërbejë si parim bazë dhe  udhërrëfyes në këtë proces.

Kushdo që mendon se në dialog duhet të shkohet pa vija të keqe, e ka gabim. Kosova i ka disa çështje që nuk i diskuton me Serbinë, pasi ajo është  shtet”, tha Ymeri. Ndërsa, Dukagjin Gorani, tha se duhet të ekzistojë një mekanizëm mbikëqyrës për procesin e dialogu. “Kuvendi i Kosovës duhet që me votë të kualifikuar ta emërtojë bartësin e këtij procesi. PSD nuk mendon se ekziston një bartës i këtij procesi. Të mandatuarit duhet t’i japin përgjegjësi kuvendit për çdo gjë që arrihet në dialog.

Kuvendi duhet ta ketë mundësinë për shkarkimin e të mandatuarëve nëse gjendet shkelje.  Kuvendi duhet ta formojë një grup të veçantë që do ta mbikëqyrë këtë proces dhe ky grup duhet të drejtohet nga opozita”, tha ai. Ai tha se presidenti i vendin nuk është legjitim për të udhëhequr me dialogun. “Nuk ka dyshim që Thaçi aspiron të jetë udhëheqës i dialogut, por PSD mendon se ai nuk ka legjitimitet, pasi Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ që ka legjitimitet për një gjë të tillë”, tha Gorani.