15:49 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Punojnë për të rregulluar kanalizimin dhe sistemin e ujësjellësit, shkatërrojnë gjelbërimin (Foto)

Që nga data 27 mars të këtij viti, rruga e njohur si te ‘Kafet e Vogla’ apo qartazi ‘Fehmi Agani në qendër të Prishtinës, vazhdon të jetë e bllokuar.

E gjithë kjo si rrjedhojë e punimeve që po bëhen në këtë rrugë si dhe në rrugën Hajdar Dushi, në mënyrë që të rregullohet kanalizimi fekale dhe atmosferik si dhe ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në këtë vend.

Në fillim ishte thënë se punimet në këtë pjesë të qytetit do të zgjasin 60 ditë. Ditë më parë në një përgjigje për Indeksonline nga Komuna e Prishtinës është thënë se punimet do të zgjasin edhe pak pasi sipas tyre nuk janë bërë ende 60 ditë, llogaritur në ditë pune.

Por të gjitha këto rregullime të cilat pritet të përfundohen shumë shpejtë po sjellin edhe telashe të tjera, si shkatërrimi i barit të gjelbëruar në anësorët e rrugës ‘Fehmi Agani’.

Indeksonline ka siguruar disa fotografi ku shihet qartë se si punëtorët largojnë kockëzat e trotuarit dhe i hedhin ato në këtë pjesë të gjelbëruar.

Sigurisht punimet janë të vështira për t’u bërë në këto pjesë gjithnjë të frekuentuara të Prishtinës por assesi nuk do të duhej të shkatërroheshin pjesët e trotuareve në këtë mënyrë./Indeksonline/