12:36 / E Diele, 17 Qershor 2018 / indeksADMonline

Real Madrid gati 150 milionë për futbollistin serb

Milinkovic-Savic është një minierë ari për Lazion. Shuma që pretendonte presidenti Claudio Lotito po bëhet realitet. Real Madridi është gati për t’u hedhur në sulmin përfundimtar me një ofertë “faraonike”. Për xhevahirin serb Florentino Perez nuk heziton për të paguar 150 miliinë euro.

Një ofertë që ende nuk ka mbërritur në “Formello”, por që së shpejti pritet të jetë zyrtare. Zërat për një transferim të tillë të çmendur janë intensifikuar orët e fundit, sidomos pas zyrtarizimit të Julen Lopeteguit në krye të “Los Blancos”, me ish-trajnerin e “La Rojas” që e pëlqen shumë mesfushorin.

Që dhjetorin e kaluar Reali ishte identifikuar si destinacioni më i mundshëm i 23-vjeçarit, por interes për talentin serb kanë shfaqur edhe PSG dhe Manchester United. Kampionët e Francës, edhe pse ishin të parët që lëvizën, u tërhoqën shumë shpejt për shkak të kufizimeve në merkato, të diktuara nga “Fair Play Financiar”. Nga ana tjetër, Manchester United ishte gati për të paguar 110 milionë euro plus bonuset, por Lotito refuzoi, duke e konsideruar të ulët ofertën e “Djajve”.

Për shkak të bilancit pozitiv, drejtuesit e Lazios mund t’ia lejojnë vetes të rezistojnë, duke kërkuar shuma marramendëse. Në fund të fundit, nuk humbin asgjë. E kjo për meritë të drejtorit sportiv, Igli Tare.