13:52 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi heq dilemën nëse do të vizitojë Preshevën apo jo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesit e Luginës ka deklaruar nëse do të vizitojë Preshevën.

Thaçi ka thënë se e njeh mirë Luginën e Preshevës dhe preokupimet e tyre por nuk mund të bëjë vizitë atje, për arsye të rrethanave, transmeton Indeksonline.

“Jetën time të angazhimit kam vizituar dhe kam qëndruar atje. Kam pasur bashkëluftëtarë nga Lugina. E njoh shumë mirë këtë vend, edhe preokupimet e tyre. Për këtë jam i vendosur që vullnetin e tyre ta shtyjë përpara. Kur e kam vizituar Luginën e Preshevës, nuk kam pasur leje të Serbisë. Kam qenë aty në përpjekjet për kauzën tonë”, ka thënë Thaçi.

Por sipas Thaçit tashmë vendi është në rrethana të tjera por që pavarësisht se a do të realizojë këtë vizitë apo jo, bashkëpunimi i ngushtë do të vazhdojë.

“Ju të gjithë e dini që jam i dënuar në mungesë nga Serbia, atë dënim Serbia nuk ma ka falur kurrë dhe as se kam kërkuar. Unë sillet si president dhe nuk dua të ballafaqohem fizikisht me policinë atje. Edhe sot përfaqësuesit e Luginës më ftuan ta vizitojë atë pjesë, por rrethanat janë të tilla që Beogradi nuk e sheh të arsyeshme prezencën time atje. Unë nuk kam bërë një kërkesë të tillë, sepse e paramendoj përgjigjen e tyre. Po pavarësisht e vizitoj apo jo, do të bashkëpunojmë ngushtë”, ka shtuar Thaçi në konferencën për media pas takimit të mbajtur në presidencë./Indeksonline/