10:38 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi i bën thirrje opozitës për përshpejtim të veprimeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje edhe njëherë partive politike që të bëjnë veprime sa më të shpejta për zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kosovë.

Duke theksuar se kjo është në interes të vendit dhe për të arritur sa më shpejt një njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje mund të arrihet vetëm atëherë kur të gjithë kuptojnë se këto janë në interes të shtetit të Kosovës.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media, pas takimit që ka pasur gjatë kësaj jave me liderët e shteteve fqinj, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që sa më shpejt të ketë një konsensus për ekipin e dialogut.

“Më lejoni që edhe sot për hirë të informimit të drejtë, të saktë dhe të transparencës për proceset që jemi duke kaluar në këtë fazë, të informojë më në hollësi edhe për angazhimet e ditëve të fundit, për takimet e ditëve të fundit dhe reflektimet dhe rrethanat e reja për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare-paqësore Kosovë-Serbi.

Marrëveshja Kosovë-Serbi është në interesin e dy shteteve dhe të popujve tanë. Në të njëjtën kohë ka ndikimin e vet pozitiv nëse arrihet marrëveshja edhe në rajon. Ky proces është jashtëzakonisht i ndjeshëm, kompleks, dhe jam i vetëdijshëm për opinionet që   mund të krijohen edhe divergjenca të ndryshme, pro apo kundër marrëveshjes.

Unë e respektojë si diçka legjitime këtë gjë. Ajo që është me rëndësi është se të gjithë janë për dialog partnerët tanë ndërkombërë dhe do ta mirëprisnin një marrëveshje Kosovë Serbi që do të hapte një perspektivë për Kosovën në rrugëtimin e mëtejshëm.

Gjatë kësaj jave kisha takim me presidentin e Shqipërisë, Iliri Meta; Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukakonviq, dhe kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zajev.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia mbështesin dialogun dhe negociatat dhe do ta mirëprisnin një marrëveshje në mënyrë evropiane që do të sillte paqe dhe stabilitet në rajon.

Tani marrëveshja e mundshme paqësore mes Kosovës dhe Serbisë çdo ditë e më shumë po merr përkrahje të gjerë dhe të domosdoshme për paqen dhe stabilitetin rajonal. Sa më parë të arrihet marrëveshja aq më e rëndësishme është për të dy vendet.

Në të njëjtë kohë më lejoni të theksojë se nuk do të jetë proces i lehtë në të ardhmen, sepse do të kemi demarkimin e kufirit, apo korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi. Korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohje direkte nga Serbia dhe bashkimin e Preshevës me Kosovën.

Njohja nga Serbia nënkupton njohje direkte  nga 5 vendet anëtare të BE-së. Nënkupton heqjen e veto-s ruse dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Respektojë në plotësi kërkesën e Luginës së Preshevës, dhe kërkesa e tyre ndaj partive politike është e saktë dhe me kohë, është në përputhje me kërkesat legjitime dhe vet vullnetin e qytetarëve.

Prandaj është me rendësi që ekipi negociator i Kosovës të funksionalizohet të fillojë punën, të zgjerohet të formojë unitet dhe koncencus politik.

Dua të ju  ftojë që në të ardhmen të kemi veprime më të shpejta, më konkrete me shpresën që do të arrihet një marrëveshje e duhur.

Kosova mund të arrijë këtë marrëveshje vetëm kur të bindet se është në interes të shtetit të Kosovës. Theksoj se marrëveshja është në interes të Kosovës, do të jetë një marrëveshje që gjithë fqinjët tanë do të ndihen rehat.

”, ka thënë Thaçi./Indeksonline/