11:15 / E Martë, 20 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Thaçi i dëshpëruar nga Dubai: Sot fitoi krimi i organizuar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur zhgënjim pas përpjekjes së dytë të dështuar që Kosova të bëhet anëtare e Interpol-it.

Në një deklarim për media nga Dubai, Thaçi ka deklaruar se sot nuk ka fitues, duke pranuar se humbëse është Kosova.

“Në proceset integruese, jemi pra ku jemi në një rrethanë që kërkon reflektim, në një rrethanë të një presioni nga ana e Serbisë për shtetet anëtare të Interpol-it. Dua t’i falënderoj shtetet mbështetëse. Kosova ka rrugën e vetë si shtet i pavarur. Dështimi sotëm tregon përvojën e një përkushtimi më të madh politik e institucional. Sot nuk as fitues por mund të them lirisht se jemi humbës edhe Kosova, por edhe Serbia. Sepse fitues është vetëm krimi i organizuar”, ka thënë Thaçi.

Tutje Thaçi ka theksuar se Kosova dhe Serbia në vend që të pengojnë njëra-tjetrën, duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare, transmeton Indeksonline.

“Interpol-i është mekanizëm i rendit dhe ligjit, Kosova ka dëshiruar të jetë sigurues i paqes dhe luftës ndaj terrorizmit dhe kibernetike. Kjo duhet të qartësojë edhe një herë gjithë opinionin se Kosova dhe Serbia në vend që ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin, duhet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare”, shtoi Thaçi.

Ndryshe shteti i Kosovës ka dështuar që të bëhet pjesë e organizatës së Interpol-it, me 51 vota kundër, 16 abstenime dhe vetëm 68 vota pro./Indeksonline/