10:34 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Krusha e Vogël, simbol i mbijetesës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar masakrën e ndodhur 19 vjet më parë, në Krushë të Vogël.

Përmes një postimi në Facebook, ai gjithashtu ka përkujtuar të gjitha masakrat që janë kryer gjithandej Kosovës, gjatë luftës së fundit, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i tij:

Muaji mars gjithmonë na kujton lavdinë e luftës së drejtë, por edhe ditët e rënda nëpër të cilat kemi kaluar dhe humbjet e më të dashurve tanë. Këto ditë kujtojmë masakrat që janë kryer gjithandej Kosovës, në Anadrini, Dukagjin, Drenicë e Gollak. Sot e tërë Kosova bashkëndjen me dhimbjen e familjarëve për jetët e humbura në Krushë të Vogël. Ky fshat është simbol i mbijetesës dhe do të mbetet gjithmonë fshat i rilindur mbi sakrificën e atyre që ranë dhe u flijuan vetëm pse ishin në vendin dhe në shtëpitë e tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët dhe për veprën e tyre në shërbim të atdheut! HTH