16:50 / E Mërkurë, 07 Nëntor 2018 / indeksADMonline

UEFA dënon rëndë Federatën Shqiptare të Futbollit

Federata Shqiptare e Futbollit duhet t`i paguajë UEFA-s një gjobë të majme prej 100.000 euro, për shkak të një gafe të qeverisë shqiptare të futbollit.

Dy sezone më parë, FSHF liçensoi Tiranën për të marrë pjesë në Kupat e Europës, duke fshehur borxhet që skuadra bardheblu kishte. Mirëpo sipas rregullave të UEFA-s, asnjë klubi nuk i lejohet të marrë pjesë në garat që organizohen nga UEFA, nëse këto klube kanë detyrime të pashlyera.

Pas një hetimi të UEFA-s, rezultoi se Tirana kishte borxhe  gjatë kohës që kishte marrë liçensën nga FSHF-ja për të luajtur në UEFA Europa League, si fituese e Kupës së Shqipërisë dy sezone më parë. Për këtë arsye, me një vendim të mëhershëm, UEFA nuk derdhi në arkat e Tiranës shumën financiare që klubi përfitonte nga pjesëmarrja në Ligën e Europës.

Por çfarë shkruan UEFA për çështjen në fjalë:

  • 4 maj 2017, Federata Shqiptare e Futbollit, konkretisht Sektori i Liçensimit, i refuzon KF Tiranës kërkesën për marrjen e liçensës për pjesëmarrje në UEFA Europa League.
  • 13 maj 2017, FSHF i jep liçensën KF Tirana për të marrë pjesë në UEFA Europa League, pasi klubi bardheblu apelon vendimin e datës 4 maj
  • 31 maj 2017, Federata Shqiptare e Futbollit i dërgon UEFA-s dokumentacionin e Tiranës, duke i sqaruar se gjithçka është në rregull, në lidhje me raportet financiare të klubit bardheblu.
  • Në muajin qershor të vitit 2017, Tirana merr pjesë në UEFA Europa League, duke zhvilluar vetëm një raund me sistem vajtje-ardhje, dhe më pas skualifikohet.
  • Më 30 qershor, Tirana i paraqet UEFA-s të gjitha raportet financiare, duke i argumentuar se  ka shlyer të gjitha borxhet ndaj palëve të treta, me një shumë që shkonte në 432 mijë euro.

 

  • Ndërkohë për këtë raport të Tiranës, UEFA dyshon dhe nis investigimin për raportin e paraqitur nga Tirana. Hetimi nis zyrtarisht më 15 shtator 2017, nga aty UEFA zbulon që Tirana nuk i kishte shlyer të gjitha borxhet, duke i bllokuar derdhjen e shpërblimit financiar që klubi bardheblu duhet të përfitonte nga pjesëmarrja e saj në Europa League.
  • Në shkurt të këtij viti nis hetimi për FSHF dhe mbyllet tani. Si përfundim UEFA ka gjetur fajtore FSHF-n për këtë rast, duke e gjobitur me një shumë prej 100.000 euro.
  • Gjysma e gjobës do të paguhet gjatë këtij viti dhe pjesa tjetër sezonin e ardhshëm.