11:07 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Uk Lushi: Ata që kritikojnë takimin Thaçi-Putin s’dinë ç’është politika

Veprimtari shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se  ata që takimin e Presidentit të Kosovës me Presidentin e Rusisë e shohin si diçka vetëm të keqe, nuk dinë ç’është politika.

Lushi ka thënë se takimi Putin-Thaçi në Paris është edhe një argument pse ai këmbëngulë në shumë biseda direkte me disa nga liderët e opozitës dhe pozitës në Prishtinë, që Kosova të krijojë një Trupë Politike, e cila do të përfundonte fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Takimin e Presidentit të Kosovës me Presidentin e Rusisë e shohin si diçka vetëm të keqe vetëm ata që nuk dinë ç’është politika. Shpresoj që Thaçi t’i ketë bërë ftesë Putinit të vizitojë Kosovën dhe nëse kjo ndodh i pari i Rusisë duhet të pritet me krejt ceremonitë shtetërore.

Popujt tonë, rusët dhe shqiptarët, nuk janë miq, por as armiq. Shteti rus është shtet i rëndësishëm dhe nuk ka asgjë të keqe të kemi komunikim direkt me Rusinë si një shtet me pozitë dhe peshë në skenën ndërkombëtare.

Takimi Putin-Thaçi në Paris është edhe një argument në anën time pse unë kam këmbëngulur dhe akoma ngulmoj në shumë biseda të miat direkte me disa nga liderët e opozitës dhe pozitës në Prishtinë që Kosova të krijojë një Trupë Politike, e cila do të përfundonte fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Pra liderët në Prishtinë duhet të mbështjellin Thaçin dhe t’mos lihet i vetëm as të bëjë keq dhe as mirë në procesin final të definimit të punëve të fundit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Si kontributi për Kosovën si resistenca që Kosova mos të humbë diçka do të jenë më të mëdha nëse kastat politike bashkohen duke kërkuar ndihmë edhe nga spektret e nevojshme të potencialit kombëtar.

Ne kemi dalë shumë mirë në të gjitha fazat e përpjekjes sonë për liri nga Serbia. Pa mëdyshje, nëse jemi të bashkuar, edhe betejën e fundit mund ta përmbyllim shumë mirë”, ka shkruar veprimtari shqiptar Uk Lushi. /IndeksOnline/