22:53 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Barca kryen detyrën ndaj Romës, në prag të gjysmëfinales

Me rezultat 4-1, Barcelona e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Romës që u zhvillua në Camp Nou.

Mysafirët bënë paraqitje të mirë në minutat e para të takimit, mirëpo Daniele De Rossi bëri një gabim të rëndë duke shënuar autogol (38′).

Deri në mbyllje të pjesës së parë nuk pati gola të tjera dhe me epërsi minimale, katalunasit shkuan në pushim.

Giallorossët u përpoqën sërish të bënin diçka në gjysmën e dytë, mirëpo një tjetër autogol, këtë herë nga Kostas Manolas (55′), ishte ndëshkimi i radhës për skuadrën italiane.

Goli i tretë i vendasve u realizua nga Gerard Pique (59′). Portieri Alisson e mbrojti goditjen e Luis Suarez, por aty ishte mbrojtësi spanjoll për të ndëshkuar.

Roma i riktheu shpresat me një gol të Edin Dzekos (80′), i cili shënoi pas asistimit nga  Diego Perotti.

Mirëpo, nga një tjetër gabim i mysafirëve në zonë, përfitoi Luis Suarez për ta shënuar golin e katërt të Blaugranëve (87′).

Epërsia e Barcelonës është shumë e lartë, ashtu që është thuajse e pamundur që Roma t’i ndryshojë gjërat në ndeshjen kthyese.

Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave (10 prill) në Stadio Olimpico.

Temat: