23:10 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bernard Challandes reagon pas fitores historike ndaj Ishujve Faroe

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka reaguar pas fitores historike të Kosovës në Ligën e Kombeve.

Futbollistët kosovar regjistruan fitore me rezultat, 2-0 ndaj Ishujve Faroe në kuadër të grupit 3, Liga D.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin, ”Fadil Vokrri”, Kosova zhvilloi një paraqitje perfekte, transmeton IndeksOnline.

Dhe normalisht, trajneri, Challandes ishte më se i kënaqur me paraqitjen e Kosovës, teksa foli edhe për ndryshimet taktike të tij.

”Donim të luanim nga krahët dhe të bëjmë sa më shumë krosime. Por, ne kishim vetëm një sulmues në zonë”.

”Nëse luajmë në ndeshjet tjera sikur në pjesën e parë, atëherë duhet të jemi më të shpejtë”.

”Por, duhet t’i përmirësojmë këto situata, andaj pas pjesës së parë, u thashë lojtarëve ta mbështesin më shumë Nuhiun”.

”Ndryshimi i krahut të Rashicës nuk ishte problem, ai luan kudo. Mendoj se kjo ishte një gjë e mirë”.

”Zenelin e preferoj në krah të majtë pasi ai gjuan me të djathtën. Ndërsa, Rashica është më i mirë në vijë”, u shpreh zvicerani./IndeksOnline/