16:02 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Drita e Duros nuk ndalet, fitojnë edhe Flamurtari dhe Ballkani

Fitore me përmbysje për Flamurtarin në fushën e Ferizajt me skuadrën kryeqytetase që u rikthye te suksesi në kampionat pas 7 javësh pikërisht në raundin e 12-të të IPKO Superligës së Kosovës.

Një fitore me shifrat 2-3 e Flamurtarit që e ngjiti formacionin nga Prishtina në kuotën e 19 pikëve në vendin e 5-të të klasifikimit. Finalizimi i Berbatovcit në pjesën e parë u përmbys nga dygolëshi i Krasniqit dhe rrjeta e Zylfiut për kuqezinjtë.

Në fund ish lojtari i Partizanit Mentor Mazrekaj e bëri më interesante ndeshjen me golin e tij por vetëm kaq sepse Ferizaj doli pa pikë nga kjo sfidë. Një gol i Manevskit në minutën e 80-të i dha fitoren Ballkanit dhe fundosi akoma më shumë Lirinë në duelin e drejtpërdrejtë për mbijetesën.

Mori fitoren e 4-t rresht Drita e Shpëtim Duros. Kampionët në fuqi u ngjitën përkohësisht në vendin e 4-t të renditjes falë suksesit të vështirë me shifrat 1-2 në fushën e modestëve të KEK-ut.

Temat: