18:22 / E Diele, 18 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Komisari i VV-së nga Tirana kërcënon Vesar Ymerin, e quan tradhtar pse respektoi himnin e Kosovës

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, e ka quajtur tradhtar dhe e ka kërcënuar Visar Ymerin pse ky i fundit respektoi himnin e Republikës së Kosovës.

Në këtë mënyrë, Hoxha ka shkruar se do të jetë i rëndë çmimi që do ta paguajë Ymeri.

“Visar Ymeri, tani e tutje, duhet të jesh edhe për Demarkacionin e Zajednicën. Kush tradhton, tradhton deri në skaj. Hajt, të qoftë e mbarë theqafja dhe i rëndë çmimi me të cilin je shitur”, ka shkruar Hoxha, në një reagim në FB.

Visar Ymeri bashkë me Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn, Donika Kadaj, Fisnik Ismaili, Saranda Bogujevci shkuan në seancën solemne të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë. U ngritën në këmbë kur u intonua himni i Republikës.

Në këtë formë, Ymeri bashkë me deputetët tjerë respektuan për herë të parë himnin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Elvis Hoxha është pjesë e krahut të Albin Kurtit në Vetëvendosje.

Ndërkohë, nga pozitat partiake në VV kanë dhënë dorëheqje: Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani, Donika Kadaj, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili. Ende nuk kanë qartësuar pozicionin e tyre, Shpend Ahmeti pasi burime të Express kanë treguar se zyrtarët e VV-së kanë paralajmëruar se do t’i publikojnë shkeljet në komunë nëse largohet nga partia.

Problemet në Lëvizjen Vetëvendosje dolën para një muaji kur Aida Dërguti, në një komunikim në viber, i drejtohet Kurtit si mut. Pas kësaj, filloi fushata linçuese ndaj saj duke thënë se ajo është pjesë e SHIK’ut bashkë me Dardan Molliqajn e Dukagjin Goranin.

Vetëvendosje aktualisht është partia më e madhe në Kosovë. Ka 32 deputetë në Parlament.

 

Deputetët e VV-së në këmbë për himnin e Kosovës, mungon grupi i Kurtit [Video/Foto]

Kritikohen deputetët e VV-së që sot respektuan himnin e Republikës së Kosovës (Foto)