22:24 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Numri rekord i pompave të karburantit në Kosovë, disa operojnë ilegalisht!

Republika e Kosovës mund të themi lirisht se është shteti më i dalluar në botë sa i përket tregut në sektorin e derivateve të naftës. Sipas hulumtimeve të deritanishme, në vendin tonë operojnë afro nëntëqind pompa të benzinës. Në mesin e tyre janë edhe një numër i konsiderueshëm i kompanive serbe që operojnë ilegalisht. Qeveria “Haradinaj” ka hartuar një plan që pompat “problematike” të futën nën kontrollin shtetëror.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tregoi për “Indeksonline” se deri më tani janë hiq më pakë se 851 pika të karburantit, duke përfshirë  edhe disa ilegale.

Sipas tij, vetëm në Mitrovicën e Veriut aktualisht operojnë 50 pika, 10 prej tyre janë me licencë valide ndërsa rreth 40 pika tjera operojnë ilegalisht.  “Ne jemi shteti më i vogël në botë dhe me pas më së shumti pika karburanti, kjo me të vërtetë befasuese”, është shprehur ai.

Megjithatë, Berjani shtoi se Shoqata të cilën e udhëheqë ai nuk është kundër ndërtimit të pikave të reja të karburantit, mirëpo të njëjtat do të duheshin të kenë kritere sipas Bashkimit Evropian.

“Rast konkret është diferenca si kriter i cili duhet te zbatohet. Marrim shembull në rrugët lokale largësia duhet te jetë  10 km, magjistrale 15 km si dhe autostradë 25 km”, ka treguar ai.

Duke folur për cilësinë e naftës, që importohet nga shtetet fqinje; Shqipëria, Maqedonia, Greqia si dhe Serbia, Berjani thotë se s’ka kontroll të duhur ndonëse qytetarët janë duke u shërbyer me cilësi si në regjion.

Nga ana tjetër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konfirmuar se  kanë ndërmarrë aksion në bashkëpunim me Inspektoratin përgjegjës që këta të fundit t’i informojnë kompanitë që s’kanë licenca të furnizohen me to.

“Ishte një rezultat i mirë dhe kjo ishte përqindje sot është ulur. Disa pika  të karburantit kishin kontekst me AKP-në dhe pronës së tyre. Në pjesën veriore të vendit. Nuk është që kompanitë s’kanë ndonjë vullnet për licencime, mirëpo problemi është i pronësisë. Për tu pajisur me një licencë , sipas udhëzimit administrativ, kërkohet që të jetë e definuar prona”, sqaron MI.

Ministri, Bajram Hasani tregoi për “Indeksonline” se në një bisedë që kishte me kryeministrin, Ramush Haradinaj, janë pajtuar që të nisin iniciativën për lehtësimet e regjistrimeve të kompanive serbe që të njëjtat të futen në sistem.

“Tani për tani nuk janë të pakontrolluara dhe më e keqja është se derivatet që shiten furnizohen nga pjesa jugore. Kompanitë e tona furnizojnë kompanitë të cilat nuk posedojnë licencë. Ne në rast se arrijmë që të bëjmë një lehtësim për shkak të regjistrimit të procedurave ne më një urdhëresë mundemi ta ndalojmë që asnjë kompani që funksionin në këtë pjesë të territorit mos t’i mundësohet të furnizohen  asnjë pikë e karburantit pa e pas licencën. Kjo është shumë e lehtë të bëhet”, ka thënë ai.

Më tej, ministri ka sqaruar se 90% e derivateve që shiten në veri furnizohen nga kompanitë kosovare që janë importues më të mëdhenj të derivateve të naftës.

“Ne sot mund të marrim një  vendim të tillë, mirëpo mund të shkaktoj kaos pasi që është pamundësi dhe dukuri e problem shkaku i pronës.  Mungojnë dokumentet në kadastër , s’kanë pronësi kompanitë i cili është kusht për të marrë licencë shitjes së karburanteve”, ka deklaruar ai. /Indeksonline/Alban Muhaxheri/